Futboll

Shqiptarët që themeluan klubet e mëdha europiane

Futbolli dhe shqiptarët kanë një lidhje të hershme edhe pse vetëm në vitin 2016-të pati përfaqësimin e parë ndërkombëtar, në kampionatin europian të Francës. Klubi i parë i futbollit në Shqipëri është Vllaznia e Shkodrës në vitin 1919, por shqiptarët kishin filluar ta luanin futbollin shumë më herët. Madje disa kishin krijuar klube dhe skuadra në vendet ku jetonin. Në morinë e klubeve dhe skuadrave të vogla që janë krijuar ndër vite, tre janë ekipet e mëdha në skenën europiane që janë ngritur nga shqiptarë. Bëhet fjalë për Inter në Milano, Gallatasaraj e Istanbulspor në Stamboll.

Giovani Paramithioti, shqiptari që themeloi Inter

Pas përplasjes në dhomat e zhveshjes se skuadrës së Milan, një grup futbollistësh vendosën që në qytetin verior të Italisë, Milano të krijohet një klub i ri, me emrin Internacionale Milano. Paramithioti, Mugiani, Rietman, Hirzel, Bach, Ansbacher dhe Glockner ishin 7 njerëzit që themeluan klubin italian. Mes të 7-ve, vetëm një prej tyre ishte nga Milano, të tjerët ishin nga qytete të tjera të Italisë, kishte austriak, zviceran dhe shqiptarë.

Xhovani Paramithioti

Ky i fundit quhet Xhovani Paramithioti dhe në mesin e 7 themeluesve u zgjodh si president i këtij ekipi. Paramithioti qëndroi në postin presidentit të parë të Inter për një vit, 1908-1909. Ai është pinjoll i një familje të madhe shqiptare nga Çamëria. Familja e tij në mesin e shekullit 19-të ishte larguar nga Paramithia, për t’u zhvendosur fillimisht në Korfuz dhe më pas në Venecie. Me profesion bankier, Paramithioti kishte një pasion shumë të veçante për futbollin.

Për të ka edhe një legjendë si “Toccaferro” (prekja e tersit). Tek tifozët e paktë të Inter në vitet e para, ishte përhapur legjenda se në çdo ndeshje që presidenti do të ishte i pranishëm në stadium, ekipi nuk fitonte. Për një periudhë disa mujore ai mori vendim që mos ta ndiqte ekipin në stadium dhe bashkë me këtë largim të tij, erdhën edhe fitoret. Por kjo legjendë për të rezultoi të ishte false, pasi në një nga ndeshjet e fundit të kampionatit, Paramithioti u maskua me mjekër dhe rroba të vjetra dhe shkoi për të ndjekur Interin në stadium.

Skuadra fitoi dhe në atë moment ai hoqi maskën e tij, kështu që nofka “Toccaferro”, ra. Ai qëndroi vetëm një vit në pozicionin e presidentit të skuadrës, por me anë të sponsorizimeve dhe donacioneve të ndryshme, Xhovani Paramithoti do të ishte pranë Inter deri në vitet 30-të të shekullit të shkuar.

Ali Sami Frashëri

Pinjolli i familjes Frashëri themelues i Gallatasaraj

Para se të ndërtohej impianti modern “Truk Telekom Arena” stadiumi i skuadrës turke Gallatasaraj quhej Ali Sami Yem. Ky emër i ishte vënë stadiumit në nder të themeluesit të këtij klubi, djali poetit dhe ideologut të madh shqiptar Sami Frashëri.

Ali Sami Frashëri ishte student, kur bashkë shokët e tij të kursit ai formoi një ekip të vogël dhe luanin futboll rregullisht. Me kalimin e muajve deri në vitin 1905, klubi do të formalizohej me emrin Gallatasaraj duke u bërë kështu një ndër të parët klube futbolli në Turqi. Më herët ishte krijuar Beshiktash dhe dy vite më vonë u themelua Fenerbaçe për të formuar kështu treshen e klubeve më të mëdha në Turqi. Në vitin 1909 Gallatasaraj do të fitonte kampionatin e parë kombëtar në Turqi, ku Ai Frashëri ishte president dhe njëkohësisht trajnerë i ekipit. Ai do e drejtonte klubin që nga momenti i krijimit për 13 vite me radhë, deri në vitin 1918. Më pas në 1925 do të rikthehej në klubin e Gallatasaraj, por vetëm për pak kohë, pasi do u largua sërish për t’u marrë me aktivitete të tjera sportive në Turqi.

Skuadra e Gallatasaraj që fitoi titullin kampion

Ali Frashëri është dhe një nga trajnerët e parë të futbollit në Turqi, që kishte marrë trajnime dhe specializime në vendet perëndimore. Djali i Sami Frashërit mbahet mend si një nga njerëzit më të rëndësishëm në sportin e Turqisë, pasi në vitet 1926-1931 ai do të themelonte dhe drejtonte Komitetin Olimpik të Turqisë. Në vitin 1946 u përfundua rindërtimi stadiumit “Taksim Stadium” që duke filluar nga ai vit u quajt “Ali Sami Yen Stadium”, në nder të themeluesit të Galllatasarajt.

Korçari Qemal Omari që themeloi Istanbulspor

Edhe pse jo nga klubet më të mëdha në Turqi, Istanbulspor është nga më të vjetërit. Sot pak mund ta dinë, mbase vetëm tifozët fanatikë të kësaj skuadre, që themeluesi i këtij klubi në vitin 1923 ishte një shqiptar që quhej Qemal Omari. Ky kishte qenë për kohën e tij një nga futbollistët më të mirë dhe një nga trajnerët më të suksesshëm.

Omari do të luante me Istanbulspor deri në vitin 1930, kur do të transferohej në Shqipëri. Ai bashkë me Servet Teufik Agaji erdhën në Korçë për të krijuar atë që ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar si “Skënderebu i madh”. Në vitin 1933 Skënderbeu me Qemal Omarin trajner dhe Tefuik Agajin sulmues kryesor do të fitonte titullin kampion të Shqipërisë.

Pas kësaj eksperience të suksesshme në futbollin shqiptar, Qemal Omari do të rikthehej në Turqi për ta vijuar karrierën e tij si arbitër. Ai mbahet mend për arbitrimin e përballjes mes Gallatasarajit dhe Beshiktash në vitin 1936, një nga ndeshjet më të zjarrta në historinë e futbollit turk. Ndër të tjera, Qemal Omari ka luajtur për kombëtaren turke dhe ka mbajtur pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të federatës së futbollit në Turqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë