Ekonomi

Shqiptarët pesimistë, nuk kanë besim te përmirësimi i ekonomisë

Besimi i bizneseve, ashtu edhe ai i konsumatorëve ndaj ekonomisë në tërësi ka rënë në fundt të vitit që lamë pas.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për “Vrojtimin e Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit” rezultojnë se treguesi i ndjesisë ekonomike ka rezultuar në rënie me 12.6 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2019, duke qëndruar pranë vlerës 95.4 nën mesataren afatgjatë.

Të gjithë sektorët e ekonomisë rezultojnë me rënie të besimit. Në uljen e këtij treguesi kanë ndikuar rënia e kontratave, pritjet për ecurinë e prodhimit dhe punësimit në tremujorët e ardhshëm.

Pra, bizneset nuk kanë shpresë që situata ekonomike do të përmirësohet që ata të investojnë e të hapin vende të reja pune.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) ra me 5.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt.

Megjithatë, TBI-ja vijon të mbetet mbi mesataren historike të saj. Niveli më i ulët i besimit në industri u ndikua nga rënia e dy prej komponentëve formues të treguesit, kontratat porositëse, me 12.1 pikë përqindje, dhe prodhimi me 6.9 pikë përqindje.
Edhe kontratat porositëse nga eksportet, pritjet për ecurinë e prodhimit dhe të punësimit në tremujorin e ardhshëm, shënuan rënie.

Ndërkohë, gjendja financiare rezultoi e përmirësuar gjatë tremujorit në analizë. Për sa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, ajo qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel si krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, ashtu edhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Kjo normë mbetet më lart mesatares historike të saj.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) shënoi rënie me 3.0 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar nën mesataren historike të tij për të dytin tremujor radhazi.

Negativisht ndikuan; aktiviteti ndërtues me 4.0 pikë përqindje dhe kontratat porositëse me 2.0 pikë përqindje. Një ecuri rënëse shfaqën në këtë sektor edhe gjendja financiare dhe pritjet për punësimin në tremujorin e ardhshëm.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) ra me 15.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt.

Kjo rënie e fortë e zhvendosi treguesin nën mesataren historike të tij, për të parën herë pas më shumë se tre vitesh. Përkeqësimi i TBSH-së pasqyroi rënien e dy komponentëve përbërës të tij, ecurisë së biznesit, me 15.5 pikë përqindje, dhe kërkesën, me 14.7 pikë përqindje.

Me rënie rezultuan në këtë sektor edhe punësimi, gjendja financiare dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) ra me 3.4 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar edhe më poshtë mesatares historike të tij. Rënia e besimit në këtë sektor u ndikua nga rënia e pritshmërive për rritjen e punësimit në tremujorin e ardhshëm me 9.6 pikë përqindje. Ndërkohë, ecuria e biznesit, u rrit me 2.9 pikë përqindje. Pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve, shënuan rënie. Për sa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, ajo rezulton 4.0 pikë përqindje nën nivelin e shënuar një vit më parë dhe 4.3 pikë përqindje poshtë mesatares historike të saj.

Besimi konsumator

Besimi i konsumatorit

Ashtu si bizneset, edhe qytetarët e shohin me pesimizëm situatën e xhepave të tyre në tremujorët e ardhshëm të vitit.

Treguesi i besimit konsumator (TBK) vijoi prirjen rënëse gjatë tremujorit të katërt 2019-të, duke qëndruar 1.4 pikë përqindje poshtë nivelit të tremujorit të mëparshëm. Kjo ecuri rënëse e zhvendosi treguesin 1.4 pikë përqindje nën mesataren historike të tij.

Qytetarët shqiptarë e kanë humbur besimin ndaj situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend, me 2.5 pikë përqindje, po ashtu edhe ndaj situatës financiare të pritur të familjes, me 1.8 pikë përqindje dhe nuk mendojnë se do të kryejnë blerje të mëdha, me 1.6 pikë përqindje. Po ashtu nuk mendojnë se do të munden të kursejnë në tremujorët e ardhshëm.

Kurse treguesit e tjerë; të ardhurat dhe shpenzimet - qëndruan pothuajse në të njëjtin nivel me një tremujor më parë (+0.3 pikë përqindje).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë