Ne rrjet

Shqiptarët “non-grata” të shpallur ndër vite nga SHBA

Lajmi se presidenti i SHBA, Joe Biden ka firmosur një urdhër ekzekutiv për bllokimin e hyrjes por edhe pasurive të individëve që kanë cenuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor ka tronditur sot rajonin, duke ngritur një sërë spekulimesh se Uashingtoni po përgatit një listë të zezë që do të përfshjë figura dhe politikanë nga i gjithë Ballkani.

Presidenti amerikan thotë se korrupsioni i përhapur në Ballkanin Perëndimor jo vetëm që po pengon integrimin e vendeve të rajonit në institucionet euro-atlantike por edhe përbën një rrezik të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare të Amerikës.

Dekreti do të përfshirë persona të cilët janë të lidhur me korrupsionin dhe do të ketë efekt mbi ish-zyrtarë apo zyrtarë aktualë të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë përdorur asetet publike për të përfituar personalisht apo për qëllime politike. Në letrën që Biden i dërgon Senatit dhe Kongresit amerikan thuhet se bëhet fjalë për ndryshimin e një dekreti ekzistues që firmosur në qershor 2001 që përfshinte ish-Jugosllavinë. Tashmë në këtë dekret do të jetë përfshirë dhe Shqipëria.

Hapi i pazakonte ka bërë që opinion i publik të ngrejë një sërë pyetjes se kush mund të përfshihet në këtë listë të zezë dhe çfarë do të thotë kjo për personat që nuk do t’i lejohet hyrja në SHBA?

Lista e zezë është në thelb një listë e njerëzve ose kompanive që qeveria amerikane gjykon si një rrezik të sigurisë kombëtare.

Kjo listë u risoll në vëmendjen e shqiptarëve pasi Departamenti i Shtetit i SHBA-së u ka ndaluar hyrjen dy javë më parë në territorin amerikan ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë.

Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhet se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Sipas, DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitimet dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij. Rrjedhimisht, u është ndaluar hyrja në SHBA, Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës, Argita Berisha Malltezi.

Para Berishës, Departamenti Amerikan i Shtetit (DAP), do të shpallte “non–grata” (të padëshiruar) më 14 shkurt 2018 ish-Prokurorin e Përgjithshëm Shqiptar Adriatik Llalla për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.

Në vendimin e DASH thuhej: “Përveç përcaktimit të z. Llalla, Sekretari po përcakton publikisht edhe bashkëshortin e z. Llalla, Ardjana Llalla, vajzën e tij, Eni Llalla dhe fëmijën tjetër të tij, shtetas jo-amerikan”.

Pak javë më pas, më 16 prill 2018, DASH do t’i ndalonte, me të njëjtin motivacion, hyrjen në SHBA, deputetit Tom Doshi bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

“Përveç përcaktimit të z. Doshi, Departamenti po përcakton publikisht edhe bashkëshortin e z. Doshi, Xhovana Doshi, vajzën e tij të rritur, Briana Doshi, djalin e tij të rritur, James Doshi dhe fëmijët e tij të mitur”

Më 30 korrik 2019,  DASH, vendosi të shpallë si person të padëshiruar, duke i refuzuar hyrjen në SHBA kryetarit të Bashkisë së Durrësit asaj kohe Vangjush Dakos dhe familjes së tij. Shkak mbetej sërish përfshirja e këtij zyrtari të lartë në korrupsion.

“Sekretari i Shtetit po përcakton publikisht Kryetarin e Bashkisë Shqiptare të Durrësit Vangjush Dako nën Seksionin 7031 (c) të Aktit të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ndarura të FY 2019, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm”

Por përvec  këtyre figurave të larta,  është një listë e gjatë prej 37 shqiptareve të cilët figurojnë si “persona të rrezikshëm” në listën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Daut Haradinaj, Rexhep Selimi, Azem Syla, Haradin Balaj, Fatmir Limaj, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Emrush Xhemajli, janë disa prej emrave te shtetasve nga Kosova që SHBA i konsideron “persona të rrezikshëm” për sigurinë e saj.

Ky urdhër është nënshkruar nga ish-presidenti, George W.Bush në vitin 2001 dhe ka për qëllim që të përballet me kërcënimin e madh ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të SHBA-së nga persona që janë të përfshirë apo mbështesin dhunën ekstremiste në Republikën e Maqedonisë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ose ndaj pengesave që mund t’iu bëhen zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje apo ndaj Rezolutës 1244 të OKB-së për Kosovën. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump në qershor të vitit 2017 e ka vazhduar edhe për një vit këtë urdhër ekzekutiv për emergjencë kombëtare në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë listë i vetmi shtetas nga Shqipëria ishte fillimisht Idajet Beqiri. Ndërsa nga Maqedonia rezultojnë Menduh Thaçi, Gafur Adili dhe Nuri Bexheti. Në listën e publikuar nga Departamenti amerikan i thesarit në faqen e saj zyrtare në qershor të vitit 2017, përfshihen edhe një sërë kompanish, apo organizatash humanitare kryesisht me karakter islamik, si edhe disa grupime paramilitare, apo lëvizje ushtarake te krijuara që në kohën e luftës në Kosovë e Maqedoni, si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Armata Kombëtare Shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë