Opinion

Shqiptarët, gangsterët që kontrollojnë trafikun e kokainës në Britani

“Kokainë, avionë, skafë, fabrika për përpunim e lëndëve narkotike dhe lidhje të forta me qeverinë”. Nëse mendoni se po flasim për historinë Pablo Eskobar na lejoni t’ju themi se imagjinata juaj ka shkuar me larg seç duhet, sepse po flasim për mafian shqiptare.

Sikur të mos mjaftonte kapja e më shumë se 900 kilogramëve kokainë në Spanjë, ku u arrestuan dy shqitarë, Britania i ka rënë sërish këmbanave të alarmit, duke paralajmëruar për rrezikun dhe fuqizimin e “gangsterëve” shqiptarë.

Në një artikull të detajuar, revista prestigjoze “The Times”, shkruan se mafia shiptare kontrollon tashmë tregun e kokainës dhe se brenda tre vitesh prania e tyre në Britani është rritur me rreth 60 përqind, duke ushqyer kështu rritjen e krimit në kombin ishullor. Bandat e shqiptare janë përhapur gjithnjë e më shumë në qytetet bregdetare dhe fshatrat rurale, e së bashku me ta është përhapur si me magji edhe kokaina dhe një sërë lëndësh të tjera narkotike.

Tristen Asllani, i dënuar me 25 vjet burg për trafik droge

Të dhënat e Agjencisë Britanikë të Krimit tregojnë se mafia shqiptare ka lidhje të ngushta me kartelet e Amerikës Latine, duke u fuqizuar në kohë rekord dhe dukë marrë nën kontroll kontrabandën e kokainës dhe shpërndarjen e saj në Britani, Itali, Spanjë dhe jo vetëm.

Gjatë kësaj periudhe trevjeçare, në Britani duket se janë shtuar atentatet, të shtënat dhe krimet e dhunshme, duke bërë që ekspertët e qeverisë britanike ta drejtojnë gishtin nga gangsterët shqiptarë. Sipas tyre shumica e konfliktimeve të dhunshme ndodhin për shkak të cilësisë së kokainës. Madje, këtë javë, u vra një reper që mendohet të ishte i lidhur me bandat e drogës në Brixton, por mes larjes së hesapeve një nga plumbat kapi një djalë 13-vjeçar.

Tabela që rendit nacionalitetet e më shumë se 4,600 sindikatave më të rrezikshme të Britanisë së Madhe udhëhiqet nga gangsterët britanikë, por për herë të parë, shqiptarët tejkaluan këtë vit rumunët. Gjatë viteve të fundit, në Britani ka pasur një rritje rekord të bandave të përfshira në pastrimin e parave, krimit të dhunshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Alarmi mbi bandat shqiptare u ngrit pasi “Global Drug Surveys” zbuloi se në Angli dhe Skoci kokaina dorëzohet brenda 15 minutash, madje përdoruesit shpreheshin se më shpejt arrinte droga se sa pica.

Bandat shqiptare kanë fituar një reputacion të frikshëm si gangsterë që mbyllin çdo marrëveshje, por edhe si ekspertë të armatosur që kanë aftësinë të luftojnë grupet rivale pa tërhequr vëmendjen e panevojshme për aktivitetet e tyre.

Kanabisi me origjini nga Shqipëria, i shitur në të gjithë Evropën, mendohet të arrijë vlerën e 4 miliardë paundëve në vit, por “parajsa” e furnizimit me kokainë mendohet të jetë Britania, e cila shitet më së shumti nga bandat e rrugës.

Bandat shqiptare të lidhura me ato të Amerikës Latine

"Përhapja e bandave shqiptare ka ndikuar në një sërë qytetesh- shprehet Andy Cook, shefi i policisë së Merseyside, po ashtu zëdhënësi kombëtar për krimin e organizuar-  Ballkani është një rajon shumë i kriminalizuar dhe shtëpia e një sërë bandash të fuqishme kriminale. Rritja e prodhimit të kokainës dhe drogërave të tjera do të nxisë edhe më shumë dhunën mes bandave rivale. Sfida më e madhe mbetet mes vendeve të Ballkanit, sepse ne nuk kemi domosdoshmërisht lidhje me rajonin”, përfundon ai.

Një burim i Agjencisë Kombëtare të Krimit shtoi se korrupsioni dhe mungesa e dëshirës së bashkëpunimit nga autoritetet në Ballkan e kanë bërë më të vështirë të “shënjestrohen” baronët shqiptarë të drogës.

Nga ana tjetër, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se Bashkimi Europian ishte vendimtar për shkatërrimin e bandave të drogës.

"Krimi i organizuar nuk është më lokal, është ndërkombëtar. Kriminelët kanë “bashkimin e tyre evropian” dhe prandaj BE-ja duhet të jetë sa më i fortë dhe sa më i ndërlidhur të jetë e mundur, "tha ai për “BBC Radio 4”.

Një ndër bandat më të fuqishme shqiptare është "Hellbanianz" , e cilla kontrollon pjesën më të madhe të “tregut” të kokainës në Britani. Hellbanianz është ngritur edhe si grup muzikor repistësh, ku ka shënuar jo pak sukses me hitet e tyre të bazuara në histori të vërteta të jetesës së tyre. Djemtë e grupimit e çojnë drogën në vendpushimet e plazhit në Essex ose në fshatrat e zonës, duke bërë qindra paund në orë. Anëtarët po ashtu vjedhin rivalët e tyre të armatosur me thika dhe armë dhe borxhet e papaguara dënohen me rrëmbim dhe torturë. Madje sipas mediave britanike, anëtarët e bandës janë betuar për të mbrojtur njëri-tjetrin qoftë edhe me jetën e tyre.

Në vitin 2013, katër anëtarë të një sindikate të drejtuar nga shqiptarët u burgosën në Glasgoë pasi u kapën me një valixhe të mbushur me 1.2 milion paund kokainë. Imazhet në telefonin e një anëtari treguan Albert Memia, 25 vjeç, i cili e kishte shkruajtur nofkën e tij me kokainë.

Alarmi i Europës dhe Guardia di Finanza

Në raportin e vitit 2017, Qendra Monitoruese Europiane për Drogën dhe Varësinë ndaj Drogës deklaronte gjithashtu se se ka një rritje të trafikut nga vendet e Ballkanit, mes të cilave dallohet Shqipëria.  Sipas raportit “marijuana dhe hashishi janë dy produktet kryesore të kanabisit të gjetura në tregun evropian të drogës, ndërsa vaji i kanabisit është relativisht më i rrallë. Ai vlerëson se “produktet e kanabisit përbëjnë pjesën më të madhe të tregut të paligjshëm të drogës me pakicë në Evropë (38%), me një vlerë të parashikuar prej 9.3 miliardë eurosh.

Gjatë vitit 2016, “Guardia di Finanza” italiane, i përcolli policisë shqiptare se kishte evidentuar nga vëzhgimi ajror 2086 parcela të mbjella me marijuana.

Ndërsa në raportin e vitit e 2017, Guardia di Finanza i kishte kushtuar një kapitull të tërë bandave shqiptare, duke theksuar se sikur të mos mjaftonte përfshirja në trafikun e kanabisit dhe kontrollin e prostitucionit, gangserët shqiptarë drejtojnë tashmë trafikun e kokainës e heroines.

Ashtu si raportet e autoriteteve britanike, edhe Italia e ka cilësuar krimin e organizuar shqiptar si një ndër organizatat e huaja kriminale që kanë një shtrirje në të gjithë gadishullin. Sipas raportit të fundit për parlamentin italian të Drejtorisë Hetimore Anti-Mafia në Itali, DIA, grupet kriminale shqiptare kanë krijuar aleanca me organizatat mafioze italiane, duke dominuar në rajone të caktuara trafikun kokainës dhe heroinës, biznes ky që deri para pak vitesh ishte ekskluzivitet i organizatës mafioze ‘Ndragheta.’

Rruga ballkanike, sipas hetuesve italianë mbetet korridori kryesor i furnizimit të tregut evropian me lëndë narkotike, të tipit heroinë e ardhur nga Afganistani.

Futja e këtyre produkteve në Evropë, nëpërmjet Austrisë, Gjermanisë dhe Italisë, është një monopol i partneriteteve kosovaro-boshnjako-shqiptare. Ai që zakonisht quhet ‘karteli ballkanik’ dhe përdori brigjet shqiptare si një ndalesë në menaxhimin e fluksit dhe rishpërndarjen e drogës që vjen nga Afganistani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë