Financa Personale

Shqiptarët me pagë minimale kanë fuqinë blerëse më të ulët në Europë

Nga Gazeta 'SI'- Paga minimale në Shqipëri është ndër më të ulëtat në të gjithë Europën, në vlerë, ndërsa sipas fuqisë blerëse, e fundit.

Sipas Eurostat, në vlerë, rreth 400 euro,  paga minimale e Shqipërisë lë pas Maqedoninë e Veriut, Moldavinë dhe Ukrainën.

Matur sipas fuqisë blerëse, PPS, pra të ardhurat në raport me çmimet, paga minimale e Shqipërisë zhvlerësohet më tej dhe renditet e fundit fare. Përveç se është më e ulëta, PPS e Shqipërisë 556 ka diferencë shumë të madhe me vendet e tjera si Serbia që e ka më shumë se 750 PPS.

Diferenca do të ishte akoma më e thellë nëse kursi i këmbimit do të ishte në gjendjen e tij normale, pasi Eurostat thekson se për vendet me monedhave kombëtare i ka konvertuar në euro. Vetëm nga zhvlerësimi i euros, paga minimale në Shqipëri rezulton rreth 10% më e lartë kur konvertohet në euro.

Pagat minimale mujore në Europë ndryshojnë shumë në shtetet anëtare, nga 477 € në Bullgari në 2.571 € në Luksemburg. Eurostat i klasifikon vendet më 3 grupe. Grupi 1, me një pagë minimale kombëtare mbi 1 500 € në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Luksemburgu, Irlanda, Holanda, Belgjika, Gjermania dhe Franca. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1.767 € në Francë në 2.571 € në Luksemburg. Grupi 2, me një pagë minimale kombëtare mbi 1.000 € dhe nën 1.500 € në muaj.

Në këtë grup bëjnë pjesë: Spanja dhe Sllovenia. Pagat e tyre minimale kombëtare ishin 1.254 € në Slloveni dhe 1.323 € në Spanjë. Grupi 3, me një pagë minimale kombëtare të barabartë ose nën 1.000 € në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Qiproja, Polonia, Greqia, Portugalia, Malta, Lituania, Kroacia, Estonia, Çekia, Sllovakia, Rumania, Letonia, Hungaria dhe Bullgaria. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 477€ në Bullgari në 1.000 € në Qipro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë