Gazeta Si - Dhuna dhe lufta mes bandave të drogës në Ekuador ka arritur kulmin në javët e fundit, ku të paktën çdo 6 orë vritet një person.
Por rritja e kriminalitetit në vend, bashkohet edhe me trafikun e drogës, ku grupet kriminale shqiptare po mbizotërojnë prej kohësh.
LEXO EDHE:
- Nga Ballkani në Guajakili, aleanca e karteleve shqiptare të drogës me grupin famëkeq Sinaloa dhe FARC
- Raporti/ Mbi 10 vjet mafie shqiptare në Ekuador. Kokaina, klanet familjare dhe lufta për pushtet
Sipas një burimi anti-narkotik lokal, në vitin 2018 në Ekuador kanë hyrë 160 shqiptarë, nga të cilët 20 kanë qenë trafikantë të mundshëm droge.
Një zyrtar i policisë ekuadoriane, pohon se sasitë e mëdha të kokainës të kapura në kontejnerë bananesh në Durrës, vitet e fundit janë dërgesa të këtyre grupeve.
Media ekuadoriane, në një analizë për situatën e sigurisë në vend, citojnë kolonelin në shërbimin pasiv të Forcave të Armatosura, Alberto Molina.
Ai thekson se rritja e vrasjeve ndodh në të njëjtën kohë që janë shtuar edhe rastet e trafikut të drogës ku implikohen gjithnjë e më shumë edhe shqiptarët.
Këtë vit, autoritetet kanë sekuestruar deri në 90 ton drogë, më shumë se dyfishi i vitit 2021.
Sipas Molinës, në Ekuador ka banda kriminale si karteli “Jalisco Nevv Generation” dhe karteli “Sinaloa”, përveç mafies italiane, shqiptare dhe kineze.
Qyteti i Guajakilit dhe porti i tij, janë kthyer në hambarë të trafikut të drogës nga Ekudori në Europë.
Pikërisht terminali shtë kthyer në qendër të konfrontimit mes bandave shqiptare që kërkojnë të kontrollojnë linjat e trafikut të kokainës.
Gjatë dekadës së fundit aty ka pasur të paktën 6 shqiptarë të ekzekutuar, ndërsa të gjithë viktimat e atentateve kanë pasur lidhje me trafikun e drogës.
E fundit nga këto ekzekutime ndodhi në një restorant në Guajakili, ku u qëllua bosi shqiptar i drogës, Ergys Dashi.
Mediet shkruajnë se në qytetin-port ekuadorian, ka një luftë midis karteleve kolumbiane, meksikane, shqiptare dhe ruse që konkurrojnë për tregun fitimprurës evropian.
Mafia shqiptare kryesisht hyn në aleanca me kartelin “Sinaloa”, i cili gjithashtu ka qenë i lidhur me “Choneros”, një bandë kriminale ekuadoriane që fajësohet për vrasjet në burgje.
Roli i grupeve shqiptare, sipas mediave, shihet në dërgesat që shkojnë drejt Durrësit, ku në një prej rasteve është sekuestruar më shumë se një ton kokainë e fshehur në ngarkesa bananesh.
Droga që niset nga Guayaquil, zakonisht fshihet në kontejnerë, pasi Ekuadori është një nga eksportuesit më të mëdhenj të bananeve në botë.
Prania e shqiptarëve në Ekuador daton në fillim të viteve 2010, ndërsa shumica e tyre jetojnë në Guajakili me identitete të rreme.
Ata janë tërhequr nga mundësia për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me kartelet e Kolumbisë, Bolivisë, Venezuelës, me qëllim sigurimin e ngarkesave me droga të forta që trafikohen më pas në vendet e BE.
Ekuadori është konsideruar si një vend i rrënuar nga korrupsioni, i cili u lejon anëtarëve të këtyre grupeve të blejnë dokumente të rreme, përfshirë edhe karta identiteti dhe pasaporta.
Atje është shumë e lehtë që zyrtarët lokalë të policisë të korruiptohen dhe të përfshihen si bashkëpunëtor në trafik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.