Komunitet

Shqiptarët, besnikët e BE, serbët më pesimistët

Shqiptarët mbeten ende më besnikët në rajon sa i takon anëtarësimit në Bashkimin Europian. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, numri i atyre që besojnë se anëtarësimi është i dobishëm dhe me rëndësi për vendin kap shifra dërrmuese.

Sipas sondazheve, në Kosovë 84 për qind e të anketuarve për 2018 e shohin Bashkimin Europian si një gjë të mirë dhe vetëm 1 për qind më pak, pra 83 për qind e qytetarëve në Shqipëri besojnë në të njëjtën gjë.

Edhe në Maqedoni e Mal të Zi pjesa e atyre që janë entuziastë për anëtarësimin në Bashkimin Europian e kalon 50 përqindëshin, por shifrat nuk janë aq optimiste sa në Shqipëri e Kosovë.

Në Maqedoni 59 për qind e qytetarëve besojnë në perfitimet që ofron anëtarësimi në union, ndërsa në Mal të Zi 53 për qind e tyre.

Serbia është i vetmi vend në rajon ku pjesa më e madhe e qytetarëve nuk besojnë tek përfitimet e anëtarësimit dhe Bashkimi Europian nuk shihet me aq optimizëm. 39 për qind e tyre janë neutralë, nuk kanë një mendim për këtë, 29 për qind janë në favor të anëtarësimit dhe 22 për qind kundër.

Në total, në të gjithë Ballkanin Perëndimor numri i atyre që besojnë tek vlerat e Bashkimit Europian dhe duan anëtarësimin e vendit të tyre kalon 50 përqindëshin, një shifër e rritur pas disa vitesh skepticizëm, që pasoi nga kriza e brendshme e BE-së dhe monedhës së përbashkët, Euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë