Kombetarja

Shqipëria zbret në renditjen e FIFA, Kosova me rritje galopante

FIFA ka publikuar renditjen e ekipeve kombëtare për muajin prill. Nuk ka ndryshime të mëdha në krye të kësaj renditje, ndërsa për ekipin tonë kombëtar, vijon rënia. Shqipëria është një pozicion më poshtë në këtë renditje të FIFA-s, ndërsa Kosova ka vazhduar edhe këtë muaj rritjen e saj të pandalshme, duke u pozicionuar për këtë muaj 3 vende më lartë.

Për ekipin kombëtar të Shqipërisë ajo humbje 2-0 me Turqinë ka bërë që të humbasë një vend në këtë renditje. Kjo zbritje e ekipit kuqezi mund të kishte qenë edhe më e madhe, por është reduktuar për shkak të fitores me modestët e Andorrës. Shqipëria është parakaluar në këtë renditje nga Hondurasi, ndërsa dy rivalët tanë në eliminatoret e kampionatit botëror, Turqia dhe Islanda gjenden ngjitur me njëra tjetrën. Turqia është ngjitur me dy pozicione në vendin e 39’, ndërsa Islanda ka zbritur dy shkallë në vendin e 40’.

Në kohën kur kombëtarja e Shqipërisë muaj pas muaji vijon zbritjen në renditjen e FIFA-s, Kosova është një rritje të pandalshme. Tre shkallë ka ngjitur këtë herë përfaqësuesja e Kosovës. Tashmë dardanët janë në vendin e 127 në listën e qeverisë botërore të futbollit. Për Kosovën ky është rezultati më i lartë histori, por që pritet të përmirësohet më tej në muajt e ardhshme, duke parë nivelin dhe lojën që Kosova tregon ndeshje pas ndeshje.

Sakaq ekipi më i mirë në botë për momentin sipas FIFA është Belgjika. Skuadra e talenteve që nuk po e fitojnë dot një trofe të rëndësishëm, ka 1727 pikë vetëm një më shumë se kampionët e botës, Franca, që lënë pas me shumë diferencë Brazilin. “Selecao” nga ana e tyre janë ngjitur në podium këtë muaj, duke lënë pas Anglinë, Kroacinë, Uruguain dhe Portugalinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë