Kombetarja

Shqipëria U-21/ Talente nga Çelsi e Lacio, 7 lojtarë nga kampionati ynë

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka publikuar sot listën zyrtare të futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet me Francën dhe me Austrinë. E para është miqësore dhe luhet më 5 shtator në Francë, kurse e dyta është kualifikuese për “Euro 2020” dhe do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit më 9 shtator. Në listën e trajnerit Bushi bëjnë pjesë thuajse të gjithë lojtarët që ai ka thirrur edhe në ndeshjet e fundit. Bie në sy prania e talenteve si, sulmuesi Armando Broja i Çelsit, mbrojtësi Anxhelo Ndreçka i Lacios, mesfushorët Lindon Selahi i Tuentes dhe Aristidi Kolaj i Sasuolos etj. Rikthehen sulmuesi Xhakomo Vrioni, i cili aktivizohet me Çitadelën aktualisht, dhe Albion Ademi, që luan në Finlandë dhe ka lënë pas dëmtimin që kishte pësuar.

Trajneri Alban Bushi, duke folur në konferencë shtypi. Gazeta Si, 30 gusht 2019

Duke folur për këtë listë, Bushi i shpreh se është mundur të thërrasë lojtarët më në formë dhe që mund të japin maksimumin në këto dy ndeshje shumë të rëndësishme.
“Kam shumë lojtarë pretendentë për te ekipi i parë A dhe të gjithë mund të luajnë për 2-3 vite. Ai donte disa lojtarë dhe në një bashkëpunim menduam të marrim disa mesfushorë dhe në të ardhmen 3-4 do të jenë me Rejën. Është e drejtë që nuk na përshtatet ndeshja me Francën për zyrtaren me Austrinë, por nuk mund të refuzohet Franca. Këta lojtarë kanë nevojë të luajnë me skuadra të mëdha dhe më pas luajnë më mirë me skuadrat më të vogla. Dihet potenciali i Francës pasi na ka mundur vjet 0-3 kurse ne nuk kemi shumë ndryshime. Mendojmë të luajmë futboll si ndaj Austrisë, me të njëjtën skemë. Duam të qarkullojmë topin dh të dalim në sulm, pa pasur emocion dhe nuk kemi frikë.” – tha Bushi.

Për sa i përket ndeshjes me Austrinë që është shansi i fundit për Shqipërinë u 21 që të vazhdojë të pretendojë për kualifikueset e europianit, Bushi u shpreh se shanset janë reale që nga kjo sfidë te dilet me një rezultat pozitiv. “Ne do të mundohemi të marrim 3 pikët ndaj Austrisë pasi nëse nuk i marrim na nxjerr jashtë loje. Ka pasur futbollistë që ka pasur në Europian dhe ka ekip të fortë. Ndaj ekipeve të forta ne kemi treguar se dimë të shënojmë.” Më tej, Alban Bushi ka folur në veçanti për disa prej lojtarëve që nuk janë thirrur, si Kastrati, Rama, Muçi, Sahiti dhe Kallaku, që sipas tij janë në planet e ekipit edhe pse për këtë ndeshje nuk u grumbulluan.

Në listën e Bushit për këto dy ndeshje nuk munguar edhe talentet nga kampionati ynë, madje edhe nga Kategoria e Parë, jo vetëm nga Superiorja. Apolonia përfaqësohet me dy lojtarë në këtë listë, portierin Harizaj dhe mbrojtësin Sota. Po me dy lojtarë përfaqësohen Laçi, me mesfushorin Shehu dhe sulmuesin Xhixha, dhe Skënderbeu, që ka portierin Dajsinani dhe mbrojtësin Jorgo Pëllumbi. Partizani, ekipi kampion në fuqi, ka vetëm një lojtar në Kombëtaren U-21, mesfushorin Esat Mala.

Lista e trajnerit Bushi për ndeshjet me Francën dhe Austrinë. Gazeta Si, 30 gusht 2019

Shqipëria U-21 bën pjesë në Grupin 3 të eliminatoreve të Europianit dhe pas 3 ndeshjesh, mban vendin e 3-të, me vetëm 2 pikë. Në grup me kuqezinjtë janë Kosova, që kryeson me 6 pikë në 2 ndeshje, Turqia, Austria, Andorra dhe Anglia. Austria dhe Anglia nuk kanë luajtur ende ndeshjen e parë në grup. Ndaj Austrisë, kuqezinjtë e Bushit do të kërkojnë fitoren e parë në grup.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë