Kombetarja

Shqipëria U-21 për turp në Andorrë, po Bushi pse nuk rrezikon?!

Kombëtarja A po kalon një periudhë shumë të vështirë për shumë arsye, ndërsa “fidanishtja” e saj, Kombëtarja U-21 është vërtet për turp. Dhe kjo është një nga arsyet që Shqipëria ka problem. Humbja me Turqinë pak ditë më parë në “Elbasan Arena” u justifikua me lojën e mirë, kurse barazimi 2-2 me Andorrën është një kambanë e fortë alarmi. Të gjithë e pamë se çfarë niveli futbolli ka Andorra dhe kuqezinjtë e vegjël nuk arrijnë të mposhtin edhe këtë kundërshtar.

Shqipëria U-21 u gjend dy herë në disavantazh dhe vetëm pak minuta para fundit arriti të shmangte humbjen. Imeri dhe Sula shënuan dy golat për skuadrën tonë, që në dy ndeshje ka vetëm një pikë në grup. Kur Shqipëria po humbiste 0-2 më Turqinë, në stadiumin “Loro Boriçi”, tifozët kuqezi shpërthyen në kor kundër trajnerit italian Kristian Panuçi. Reagim i drejtë. Po ndaj trajnerit të Kombëtares U-21, Alban Bushi, pse nuk reagon kush?! A nuk është ai përgjegjës për këtë barazim të turpshëm ndaj Andorrës, por edhe për rezultate të tjera? Sigurisht që po, po pse na qenka ky trajner imun? Është për të ardhur keq, sepse kombëtaret e moshave kanë shumë lojtarë të talentuar në kampionatet tona dhe të huaja, megjithatë ato vazhdojnë të çalojnë. Dhe këtu duhet ndërhyrë urgjentisht.

Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U-21

Në konferencat për shtyp, trajneri Bushi ka thënë shpesh se nuk është parësor rezultati, por përgatitja e elementëve për Kombëaren A. Një logjikë e pranueshme, por nuk është aspak e pranueshme që këta lojtarë të rinj të talentuar të bëhen gati për Kombëtaren e madhe, duke humbur. Kështu nuk do t’i shërbejnë kurrë fanellës kuqezi. Mentaliteti në futboll dhe në sport është shumë i rëndësishëm dhe një futbollist me mentalitet humbësi, nuk mund të ketë kurrë sukses. E teksa për Panuçin të gjithë kanë bërtitur dhe janë çjerrë, le ta ngrenë sadopak zërin edhe për Bushin dhe Shpresën tone të pashpresë.

Sa për statisitikë, trajneri Alban Bushi aktivizoi këta lojtarë në Andorrë: Dajsinani, Kryeziu, Maloku (Tafa 77′), Mersinaj, Bajrami, Sahiti, Kallaku, Selahi (Imeri 46’), Vrioni (Shefiti 63′), Muçolli, Zeka (Sula 46’).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë