Kombetarja

Shqipëria U-21 i tregon muskujt Kosovës

Kuqezinjtë e vegjël kanë arritur fitoren e parë në Grupin 3 të kualifikueseve të Euro 2021. Kanë mundur 2-1 Kosovën U-21, falë golave të shënuar nga mbrojtësi Tafa dhe Muçolli në pjesën e dytë të ndeshjes. Baftiu vetëm sa ngushtoi diferencën e golave për Kosovën në stadiumin “Elbasan Arena”, ku ka pasur një numër të konsiderueshëm tifozësh.

Ishte konsideruar një ndeshje vëllazërore, edhe pse luhet për eliminatoret e Europianit 2021, por në fushë gjithçka rezultoi ndryshe. Kishte luftë të fortë sportive, në ndonjë rast edhe tension mes lojtarëve. Dikush kishte menduar se kuqezinjtë do t’u hapnin rrugë bashkëmoshatarëve të tyre kosovarë, duke qenë se ata kishin më shumë shanse për kualifikimin, por janë gabuar. Skuadra e trajnerit Alban Bushi ka zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë, por golat i ka shënuar në të dytën.

Me këtë fitore, Kombëtarja U-21 ngjitet në kuotën e 5 pikëve dhe mban vendin e 4-t, 1 pikë pas Kosovës, që ka edhe një ndeshje më pak. Anglia dhe Austria janë skuadrat që udhëheqin grupin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë