Mjedis

Shqipëria synon përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore

Gazeta Si - Qeveria shqiptare ka njoftuar synimin e saj për ta kthyer Vjosën në një rezervat biosfere të mbrojtur nga UNESCO. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri të Audrey Azoulay, Drejtoreshë e Përgjithshme e Organizatës, e cila vizitoi vendin tonë me ftesë të Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Azoulay vizitoi qendrën historike të Gjirokastrës, ku pranë ndodhet lumi Vjosa, i quajtur shpesh "lumi i fundit i egër i Europës", sepse ujërat e tij rrjedhin thuajse të pakufizuara nga burimi i tij në Greqi e deri në detin Adriatik. Vjosa është habitati i rreth 1100 specieve shtazore dhe bimore, duke përfshirë këtu 13 lloje shtazore dhe 2 lloje bimore që janë të kërcënuara globalisht.

Gjatë vizitës së Audrey Azoulay, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, bëri të ditur se dëshiron të paraqesë në muajt në vijim kandidaturën për rezervë biosfere të UNESCO-s për luginën e Vjosës.

“Përshëndes këtë nismë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila hap një faqe të re në historinë e fortë që lidh këtë vend dhe organizatën tonë. UNESCO është në dispozicion të autoriteteve shqiptare për t'i mbështetur në përkufizimin e kësaj zone të mbrojtur dhe përgatitjen e kandidaturës së saj për programin tonë të rezervave të biosferës”, nënvizoi Audrey Azoulay.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë