Ekonomi

“Shqipëria punon tokën” në Sheshin “Skënderbej”

Sheshi “Skënderbej” në Tiranë u shndërrua këtë të shtunë në një “treg” ku disa fermerë shpalosën produktet e tyre në panairin “Shqipëria punon tokën”.

Në deklaratën e Ministrisë së Bujqësisë thuhet se ky është eventi më i madh për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Shqipëri. Ky është edicioni i tretë i këtij panari që organizohet në bashkëpunim mes kësaj ministrie dhe bashkisë së Tiranës.

Tezgat me produktet u vizituan nga Kryeministri Edi Rama, Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Çuçi foli për një pjesëmarrje masive.

“Ju ftoj të vizitoni panairin, ta shijoni dhe të blini produkte shumë të mira Made in Albania. Ky është një panair 360 gradë, që ka një interes të jashtëzakonshëm nga qytetarët. Për dy ditë kemi sjell fshatin në mes të Tiranës”, deklaroi ai.

Ministria e Bujqësisë thotë se në panari numri i pjesëmarrësve pritet të jetë rreth 400.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë