Sociale

“Shqipëria pjesë e COVAX, për të pasur vaksinë të sigurtë anti-Covid”

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se qeveria Shqiptare ka marrë vendimin për t’u angazhuar financiarisht nëpërmjet mekanizmit COVAX, për të pasur vaksinën e sigurt anti-covid. Në një takim të organizuar me ekspertë të komitetit të imunizimit në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrja Manastirliu shtoi se Shqipëria do të ketë të drejtën të zgjedhën vaksinën më të sigurt, duke u angazhuar financiarisht në një mekanizëm ndërkombëtar.

“Bazuar në rekomandimet tuaja të vlefshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit, nënshkrimin e marrëveshjes së angazhimit me aleancën Gavi, për sigurimin e vaksinës së sigurt kundër COVID-19, nëpërmjet mekanizmit COVAX, ku aderojnë 80 shtete, mes të cilave edhe vendet e Bashkimit Europian”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se çdo hap drejt përzgjedhjes së vaksinës së sigurt do të hidhet me shumë kujdes.

“Sigurisht do të jemi shumë të kujdesshëm, gjithmonë në konsultim me ekspertët për vaksinën e sigurt, kur ajo të miratohet, për të qenë të sigurt për vaksinën efektive. Por qeveria është angazhuar për të siguruar aksesin, kurdo kur kjo vaksinë të dalë”, tha Manastirliu.

Eksperti i Komitetit të Imunizimit, Eduart Kakarriqi u shpreh se janë dy, marrëveshja e blerjes se përcaktuar dhe marrëveshja e blerjes opsionale, të cilën vendi ynë ka përzgjedhur si më të vlefshme.

“Aktualisht janë ende në zhvillim e sipër një sërë vaksinash (rreth 200), por vetëm 20 prej të cilave janë në fazat e avancuara, pjesa më e madhe e tyre janë pjesë e mekanizmit COVAX. Ne jemi plotësisht të gatshëm, në pritje, në mirëpritje të vaksinës kundër COVID19 në kuadër të COVAX”, tha Kakarriqi.

Duke shprehur domosdoshmërinë e procesit të vaksinimit, nisur nga kohëzgjatja e virusit, prekja e çdo moshe dhe imuniteti i ulët, sidomos i personave që e kanë kaluar sëmundjen me simptoma të lehta, anëtarja e Komitetit të Imuzinimit, Gjerogjina Kuli tha se pjesëmarrja në COVAX, është një garanci për aksesin e Shqipërisë në vaksinën e sigurt, sikurse vendet e zhvilluara. Ndërsa  shefja e shërbimit infektiv, tha se ka kohë që ekspertët janë  mbledhur lidhur me atë çfarë diskutohet orë pas ore për prodhimin e vaksinës dhe kemi bërë hapin e parë në sajë të qeverisë shqiptare, për të marrë masat që të jemi gati nëse vaksina del zyrtarisht e prodhuar, ne të kemi mundësinë për ta marrë.

 “COVAX Facility” është një mekanizëm ndërkombëtar (i përbërë nga Gavi, CEPI dhe OBSH) që koordinon resurset dhe kërkesën për vaksinë ndaj COVID-19 me kapacitetet prodhuese të kësaj vaksine. Fillimisht, do të furnizohen të gjitha vendet me mjaftueshëm doza për të mbuluar 20% të popullsisë. Më pas do të vijojë furnizimi i vendeve me pjesën e mbetur të dozave të kërkuara (nëse janë më shumë se sa 20%). Shqipëria është zyrtarisht pjesë e këtij mekanizmi, ku marrin pjesë 80 vende të Botës, ndërsa janë lënë të hapura disa kanale komunikimi me vendet e Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë