Ekonomi

Shqipëria përmirëson konkurrueshmërinë ekonomike

Shqipëria renditet e 76-ta në mesin e 140 ekonomive botërore në raportin e Konkurrueshmërisë Globale 2018-2019 të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror.

Sipas raportit, Shqipëria është përmirësuar 4 shkallë krahasuar me një vit më parë. Por këtë vit analiza vjen e ndryshuar, pasi fokusi është kapitali njerëzor, analizat rreth produktivitetit nga ku ka marrë emrin “Indeksi i Konkurrueshmërisë Globale 4.0”.

Ndër problematikat më të mëdha në raport për Shqipërinë renditen; krimi i organizuar, performanca e gjyqësorit, eficensa legjislative, të drejtat e pronësisë dhe aftësia ligjore për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Mandej renditen inflacioni, aksesi në financë, rregullimi i taksave, tregu i punës, tregu për një produkt të caktuar, infrastruktura, etj. Në çështjet infrastrukturore, thotë raporti, përformanca çalon  në ndërlidhjet rrugore dhe eficiencën e lidhjes përmes trenave.

Në renditjen e një vit më parë, Shqipëria mbante vendin e 80-e duke u përmirësuar me 5 shkallë nga raporti 2016-2017. Sipas raportit, korrupsioni ishte shqetësimi kryesor dhe problematika më e madhe e Shqipërisë, me 23.6 pikë, i ndjekur nga taksat me 21.3 pikë.

Por këtë vit, për herë të parë, jemi në krye të  klasifikimit për një tregues në të gjithë botën; për lehtësinë e punësimit të të huajve në tregun e saj të punës.

Në rajon e para në raportin e konkurueshmërisë globale është Serbia, e cila është renditur e 65-ta, që ndiqet nga Mali i Zi, i 71-i. Shqipëria lë pas Maqedoninë dhe Bosnjë Hercegovinën.

Raporti merr në studim 12 shtylla kryesore : institucionet; Infrastrukturën; mjedisin makroekonomik, shëndetin dhe edukimin parësor; edukimin e lartë dhe trajnimin; eficiencën e tregjeve; eficiencën e tregjeve të punës; zhvillimet e tregut financiar; teknologjinë; madhësinë e tregjeve; sofistikimin e bizneseve, novacionin.

Në krye të listës së konkurueshmërisë botërore në aspektin ekonomik vazhdojnë të mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Singapori, Gjermania, Zvicra, Japonia dhe Hollanda. Renditen në fund Haiti, Jemeni, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë