Ngjarje

Shqipëria përforcon kontrollet në porte, pika kufitare dhe Rinas pas alarmit në Itali

Autoritetet shqiptare thonë se kanë shtuar kontrollet dhe gatishmërinë në pikat hyrëse, kryesisht në Portin e Durrësit dhe në Aeroportin e Rinasit pas konfirmimit nga Italia të dy vdekjeve si pasojë e koronavirusit dhe 29 rasteve me të infektuar.

Në Durrës janë shtuar masat e kontrollit për pasagjerë dhe marinarë, ndërsa mjekët përgjegjës të karantinës së ngritur në këtë pikë hyrëse-dalëse me volumin më të madh të pasagjerëve dhe të mallrave që shkëmbehen mes Shqipërisë dhe Italisë thonë se deri më tani nuk ka patur asnjë rast të dyshuar.

Mjekët thonë se kanë përforcuar kontrollet e pasagjerëve në hyrje, megjithëse deri më tani nuk ka asnjë pasagjer nga zonat e konsideruara si vatra të koronavirusit në Itali. Nën vëzhgim, thonë autoritetet, po mbahen edhe marinarët dhe mjetet detare tregtare që nuk kanë si vend origjine portet kineze.

Lombardia dhe Veneto janë dy rajonet italiane ku numri i të prekurve nga koronavirusi ka arritur në 29. Në dhjetë bashki në zonën e Lodit eventet publike do të ndalohen dhe aktivitetet e punës do të pezullohen për të parandaluar përhapjen e koronavirusit: për një javë banorët do të duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Kjo u njoftua nga këshilltari për shëndetësinë e rajonit të Lombardisë Giulio Gallera, duke specifikuar gjithashtu listën e bashkive të përfshira, që janë Codogno, Casalpusterlengo, Maleo, Fombio, Somaglia, Castiglione d’Adda, Bertonico, San Fiorano, Castelgerundo, Terranova dei Passerini, të gjitha në provincën e Lodi. Masa prek afërsisht 50,000 banorë në të gjithë këtë zonë.

Masat e Task Forcës pas situatës së re në Itali

Pas evidentimit të situatës shëndetësore me prezencë komunitare të koronavirusit në Itali, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu mblodhi sot Task-Forcën për parandaimin, kontrollin dhe mbrojtjen ndaj koronavirusit të ri.

Pas diskutimeve mes ekspertëve dhe drejtuesve të institucioneve, u vendos përforcimi i masave në pikat kufitare, sigurimi i sasisë së shtuar të mjeteve të mbrojtjes personale dhe përforcimi i gjurmimit të rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të koronavirusit COVID-19.

Task Forca vendosi:

Dyfishim të personelit në Njësitë Shëndetësore në pikat kufitare, aeroport, porte dhe pika kufitare tokësore.

Përforcim i kontrolleve në pikat kufitare, për çdo udhëtar që vjen nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare, e përcaktuar nga OBSH.

Shtimi i informacionit dhe rritja e vizibilitetit të mesazheve në pikat kufitare, për të dhënë më shumë informacion për udhëtarët mbi vetëdeklarimin në strukturat shëndetësore, në rast të një shenje klinike apo kontaktit me raste të konfirmuar me koronavirus në këto vende.

Rritja e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike.

Task Forca vendosi që masa e paracaktuar për vetëkarantinim të personave që vijnë nga vende me shpërthime komunitare të virusit duhet të vijojë.

Gjithashtu, siç është bërë me dije, tashmë është përcaktuar vendi i karantinës në rast se do të jetë e nevojshme, që është do jetë një strukturë SPITALORE, e vlerësuar edhe nga komiteti teknik, që plotëson të gjitha standardet e përcaktuara nga OBSH.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri REKOMANDON të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së cdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë