Lajme

PD: Shqipëria e rrezikuar, qeveria të lërë aktrimin. Duhen masa urgjente

Partia Demokratike thotë se jemi në situatën që koronavirusi ka prekur dhe po bën viktimat e para edhe në Itali (madje 5 të infektuar janë personel mjekësor), një vend me të cilin kemi shkëmbime të  shumta dhe lëvizje njerëzish e mallrash. “Kjo është një situatë tejet shqetësuese për qytetarët shqipëtare dhe një këmbanë alarmi për çdo profesionist të  fushës, por mesa duket nuk e prek aspak ministren Manasterliu. Në mbledhjen e sotme të Task Forcës ende flitet për forcime masash në kufi për pasagjeret që  vijnë nga vendet endemike, masa të cilat deri tani janë pothuaj inekzistente”, thotë ish deputeti i PD-së dhe ish zv/Ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia. Por me situatën në shtetin fqinj, sipas tij, koncepti i vendeve endemike bie totalisht. “Nuk di çfare quan masa në kufi ministrja, por kurrsesi disa pyetje që u bëhen udhëtarëve nga policët që kanë një  formular për ta plotësuar në rast dyshimi, nuk janë masa. Ndërkohë asnjë  transparencë publike për mungesat thelbesore në pajisjen e personelit shëndetësor me mjete mbrojtëse të posaçme. Asnjë fjalë as për një shqetësim madhor që e kemi denoncuar që në fillim të perhapjes së koronavirus për mungesën e qendrës së karantinës që mesa kuptohet nga reagimet e sotshme nuk qenka ngritur ende dhe askush nuk e di ku do ngrihet dhe a i plotëson kushtet për të qenë e tillë”, thotë Spahia, që thekson se . rreziku i prezencës së koronavirusit në Shqipëri është më eminent se kurrë.  “Nevojiten masa drastike e transparente, hiqni dore nga aktrimi. Koha e shfaqjeve ka mbaruar”, përfundon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë