Kombetarja

Shqipëria nuk ‘ndez’ as me Estoninë, tjetër zhgënjim kuqezi

Gazeta Si - Për të tretën herë radhazi në pak ditë Shqipëria dështoi të fitojë. Nuk ia doli në Ligën e Kombeve ndaj Islandës dhe Izraelit, nuk ia doli as sot ndaj Estonisë në miqësore.

Pavarësisht respektit, Estonia është një skuadër relativisht e dobët, por kuqezinjtë zhgënjyen sërish. Një barazim 0-0 nga një skuadër shumë larg vlerave që presin tifozët.

Mund të jenë shumë arsye që ndikojnë, por kjo Kombëtare nuk të fal asnjë kënaqësi. Shqipëria nuk shënon në miqësore dhe nuk ngroh me lojë.

Nga ndeshja Shqipëri-Estoni, 0-0. Gazeta Si, 13 qershor 2022

Nuk është fitorja objektiv parësor në një miqësore, por ajo ka rëndësinë e vet. Aq më tepër kur vjen nga dy ndeshje të dobëta. Skuadrës i mungon qartazi dëshira në fushë dhe harmonia në veprime.

Trajneri Reja bëri ndryshimet që ishin parashikuar. Vetëm Hysaj dhe Veseli nga titullarët e nisën ndeshjen nga minuta e parë. Adrian Bajrami zuri vend në mbrojtje, bashkë me Mihajn dhe Veselin, kurse Vrioni formoi dyshen sulmuese me Seferin.

Për 45 minutat e parë vlen të përmendet vetëm një rast i Vrionit me kokë, pas krosit të Çekiçit. Vetëm pak centimetra i mohuan sulmuesit golin e parë me fanellën kuqezi.

Në pjesën e dytë në fushë edhe Broja me Uzunin te Shqipëria, më pas edhe Abrashi. Gjithsesi, rreziku në portën kundërshtare vinte vetëm nga goditjet e dënimit të Çekiçit.

Moment nga ndeshja Shqipëri-Estoni, 0-0. Gazeta Si, 13 qershor 2022

Uzuni tenton të realizojë një gol spektakolar, por devijimi i beratasit nuk është i saktë. Spikat në lojë 20 minutat e fundit Muçolli, lojtari i ri i hedhur në fushë nga trajneri Reja, në vend të Çekiçit.

Edhe miqtë rrezikuan dy herë me anë të goditjeve standarde, por edhe ata pa mundur të shënojnë. Është mbyllur kështu pa gola një ndeshje, ku Shqipëria nuk bëri asgjë për t’u mbajtur mend dhe ky është një tjetër minus për Rejën.

Shqipëri-Estoni 0-0
Shqipëria: Selmani (Kastrati 46’), Veseli (Uzuni), Mihaj, Bajrami, Hysaj, Hoxhallari, Çokaj (Abrashi 63’), Ramadani, Çekiçi (Muçolli 72’), Seferi (Broja 46’), Vrioni (Mersinaj 63’). Trajner: Reja
Estonia: Igonen, Kusk, Paskotsi, Luka, Pum, Sumets, Petson, Miller, Pari, Sorga, Zenjov. Trajner: Haberli


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë