Moti

I ftohti ngrin Shqipërinë

Europa verilindore po ndikohet nga rryma ajri shumë të ftohta polare të cilat do të influencojnë reshje bore dhe temperatura të ulëta në vendin tonë. Stuhia “Filomena” e cila ka përfshirë Spanjën, tashmë i është afruar edhe Ballkanit Perëndimor. Adiola Bani nga Metoalb ka shpjeguar për Gazetën "Si" se acari ka nisur që prej ditës së premte e do të jetë prezent edhe në fundjavë.
Bani shtoi se stuhia ka sjellë temperatura tepër të ulëta dhe gjatë kësaj fundëjave do të luhaten nga -12 deri në -13 në zonat e thella malore, por jo vetëm, pasi gjatë mëngjesit do të jenë temperatura negative në të gjithë territorin e Shqipërisë.
"Temperatura maksimale gjatë kësaj fundjavë parashikojnë të arrijnë vlerat maksimale deri në 6 gradë celsius. Moti do të jetë me kthjellime gjatë paradites, por në mesditë dhe pasdite do të ketë rreshje të izoluara dëbore në vendin tonë," shton Bani.

Ndërkaq, era pritet të jetë e lehtë deri mesatare kryesisht në bregdet dhe në vendet malore. Drejtimi do të jetë në Jug-Perëndim me shpejtësi deri në 10-20 m/sek në bregdet.  Të dhënat tregojnë se valëzimi do të jetë i forcës 5 me lartësi vale nga 1.0 deri në 1.5 metër në det hapur.  Gjithashtu temperaturat tregojnë se do të jenë me rënie.
Në bregdet: 3-8 gradë celsius
Në vendet e ulëta:  1-6 gradë celsius.
Në vendet malore:  -6- (-3) gradë celsius.
Tashmë shumë qytete janë mbuluar nga bora, në Korçë futbollistët janë detyruar të stërviten në fushën me dëborë ndërsa qytete të tjera si Bulqiza, Kukësi, Tropoja, Puka e të tjerë kanë pasur probleme edhe me rrugët, si shkak i motit të keq.


Jo pak probleme ka pasur me linjat elektrike. Më herët OSHEE ka postuar disa fotografi në rrjetin social "Facebook" ku kabllot kanë ngrirë dhe duket qartë ndikimi i motit.
Prej ditësh ishte bërë me dije se stuhia Filomena do të kishte ndikim drejtpërdrejt në Ballkan. Vala e motit të keq ka sjellë temperatura tepër të ulëta dhe rreshjet e shiut e dëborës edhe në Greqi e Turqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë