Kombetarja

Shqipëria nënshtron Moldavinë me 4 gola, tre debutime kuqezi

Shqipëria ka fituar pastër ndaj Moldavisë në transfertë, 0-4. Ishte ndeshja e tetë eliminatore në Grupin H, ku kuqezinjtë e kanë pasur më të lehtë nga sa mund të kishin menduar, duke shënuar një fitore rekord jashtë fushe. Ndeshja është zgjidhur që në pjesën e parë, që Shqipëria e ka mbyllur në avantazhin e 3 golave, kurse në minutat shtesë të ndeshjes Rei Manaj ka vulosur rezultatin me një gol me finte. Golat e tjerë janë shënuar nga sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mesfushorët Keidi Bare dhe Lorenc Trashi. Ky i fundit është aktivizuar titullar në këtë ndeshje nga trajneri Edi Reja.

Megjithatë, duhet pranuar se tre golat e parë janë dhuruar nga skuadra moldave. Në të parin ka gabuar mbrojtja, në të dytin portieri dhe në të tretin të dy bashkë, mbrojtja dhe portieri. Trashi dhe Abrashi ishin dy ndryshimet e bëra nga trajneri italian në këtë ndeshje, në krahasim me ndeshjen me Turqinë. Në pjesën e dytë kanë debutuar me fanellën kuqezi edhe Selahi dhe Kumbulla, por debutimi më i bukur ishte ai i lojtarit të Partizanit, Lorenc Trashit, i cili realizoi golin e tretë. Një paraqitje mjaft e mirë e skuadrës së trajnerit Edi Reja, edhe pse kundërshtari ishte i një niveli shumë të dobët.

Trashi feston golin e shënuar ndaj Moldavisë. Gazeta Si, 14 tetor 2019

E rëndësishme është që Kombëtarja ka harmonizim në veprime, mbrohet mirë, del në sulm rrezikshëm, krijon dhe shënon. Një skuadër në rritje, ku disa lojtarë po u udhëheqin si duhet drejt rezultateve pozitive. Fakti që po shënojmë nga 4 gola në ndeshje, siç ka ndodhur edhe ndaj Islandës, tregon se kuqezinjtë janë përmirësuar ndjeshëm në sulm. Pas kësaj fitoreje, Shqipëria ngjitet në kuotën e 12 pikëve, por mbetet në vend të 4-t, sepse edhe Islanda ka fituar kundër Andorrës. Ndeshja tjetër mes dy kryesuesve, Francës dhe Turqisë, u mbyll në barazim, 1-1.

Moldavi-Shqipëri 0-4
Shënues: Cikalleshi 22’, Bare 34’, Trashi 40’, Manaj 93’
MOLDAVIA: Koshelev, Mudrac, Prepelita, Posmac, Graur, Reabciuk, Ionita, Anton, Cebotaru, Suvorov, Sidorenko. Trajner: Semen Altman
SHQIPËRIA: Strakosha, Veseli, Dermaku, Gjimshiti, Ismajli (Ismajli 89’), Trashi, Gjasula, Bare (Selahi 89’), Abrashi, Cikalleshi (Roshi 76’), Manaj. Trajner: Edi Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë