Moti

Shqipëria nën acar gjithë këtë javë

Edhe javën e ardhshme, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe Instituti i Gjeoshkencave njoftojnë se acari do të vijojë.

Masat ajrore polare dhe frontet e ftohtë të njëpasnjëshëm që tashmë kanë përfshirë territorin tonë do të na shoqërojnë në pjesën më të madhe të kohës edhe gjatë në javën që vjen.

Ditën e Hënë do të kemi mot të qëndrueshëm e të kthjellët me temperatura të ulëta në vlerat minimale.

Ditën e Martë dhe të Mërkurë do të kemi mot të paqëndrueshëm me reshje shiu me intensitet mesatar e lokalisht të lartë. Reshjet do të jenë në formën e rrebesheve të shpejta dhe stuhive. Bora do të jetë prezente në veri, verilindje dhe juglindje kryesisht me intensitet deri mesatar në zonën e Bajram Currit, Kukësit, Peshkopisë dhe Korçës.

Ditën e enjte dhe të premte moti parashikohet me alternime të herëpasherëshme vranësirash të cilat do të pasohen me reshje shiu me intensitet ulët. Vlen të theksohet prezenca e ngricave të forta përgjatë akseve rrugore në relievet malore, si dhe mjegull e mjegullinë për shkak të reshjeve të shiut e të borës.

Të hënën - thotë Instituti i Gjeoshkencave - se temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 2 / 12 °C, në vendet e ulëta: -2 / 10 °C dhe në vendet malore: -8 / 4 °C. Të hënën era pritet të jetë e lehtë deri mesatare në të gjithë vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë