Kombetarja

Shqipëria në vazon e dytë, më 2 dhjetor mësojmë kundërshtarët e grupit në Europian

Gazeta Si – Shqipëria është mes 20 skuadrave që janë kualifikuar deri tani për në fazën finale të Euro 2024. Përveç saj kanë fituar të drejtën për të qenë në Gjermani edhe Italia, Çekia, Sllovenia, Belgjika, Franca, Portugalia, Skocia, Spanja, Turqia, Austria, Anglia, Hungaria, Sllovakia, Danimarka, Holanda, Rumania, Zvicra dhe Serbia. Edhe Gjermania vendëse, sigurisht.

Mbrëmjen e sotme vendoset se kush mes Kroacisë dhe Uellsit shkon direkt në Europian dhe kush në ‘play-off’. Pikërisht nga ndeshjet shtesë do të përcaktohen edhe 3 skuadra e fundit pjesëmarrëse në kompeticion.

Shqipëria, e para në Grupin E, do të jetë në vazon e dytë në shortin që hidhet më 2 dhjetor në Hamburg. Një arritje në fakt për kuqezinjtë, por jo një favor në short, me sa duket. Në të njëjtën vazo me kuqezinjtë bëjnë pjesë deri tani edhe skuadra si, Hungaria, Danimarka apo Austria.

Me asnjërën nga këto skuadra Shqipëria nuk do të jetë në grup dhe bëhet fjalë për kundërshtarë, që mund të përballohen fare mirë nga Kombëtarja jonë.

Nga skuadrat big të turneut, kuqezinjtë do të ‘peshkojnë’ në short një mes Gjermanisë, Anglisë, Spanjës, Portugalisë, Francës dhe Belgjikës, që bëjnë pjesë në vazon e parë. Në anën tjetër, nga vazoja e tretë dhe e katërt mund të vijnë skuadra mjaft të forta, si Holanda, apo Italia.

Më 2 dhjetor Shqipëria do të mësojë fatin e saj në short, ku goglat do të vendosin për kundërshtarët në pjesëmarrjen e dytë në Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë