Analize

Shqipëria në “shënjestrën” e Iranit

Nga Xhuliana Toci- Sanksionet e ekonomike për të gozhduar Iranin duket se kanë e vendosur sërish Amerikën në një “luftë” të hapur me Bashkimin Europian, i cili këmbëngul se ndryshe nga Trump, nuk ka asnjë arsye për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me regjimin islamik. Nuk ka dyshime se Shqipëria është vendi i fundit që do të donte të përfshihej në këtë “lojë politike” por strehimi i më shumë se tre mijë anëtarëve të opozitës iraniane, ka bërë që vendi ynë të jetë tanimë në “shënjestrën” e regjimit. Për t’u treguar aleatëve europiane se Iranit nuk mund t’i zihet besë, Uashingtoni ka paralajmëruar se udhëheqësit e regjimit po planifikojnë një sërë sulmesh kundër disidentëve. Sipas inteligjencës amerikane, Irani po e “shpërblen” Europën për mbështetjen e saj duke rritur operacionet terroriste në kontinent. “Fox News” shkruan ndër të tjera se agjentët iranianë janë vendosur tanimë në Tiranë,  pasi “preja” kryesore e regjimit islamik janë muxhahedinët e strehuar në Shqipëri. Udhëheqësit e regjimit druhen se për shkak të lidhjeve të forta të organizatës me ligjvënësit amerikanë, Presidentit Donald Trump mund të jetë duke planifikuar të vendosë sa më parë muxhahedinët në krye të Iranit. Në këto kushte ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për t’i ndalur.

Çfarë po planifikon Irani?

Muajin e kaluar, një diplomat iranian që jetonte në Vjenë u arrestua së bashku me tre bashkëpunëtorë të tjerë, pasi planifikonte të bombardonte mbledhjen e grupeve opozitare iraniane në Paris, në të cilën do të ishte i pranishëm edhe miku i ngushtë i Presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani. Prokurorët kanë konfirmuar se Assadollah Assadi ishte anëtar i inteligjencës iraniane, një nga funksionet e të cilës është lufta kundër grupeve opozitare, si brenda ashtu dhe jashtë Iranit. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe autoritetet holandeze përjashtuan dy diplomatë iranianë në korrik, pas vrasjes së një disidenti iranian në Hagë.

Por shqetësimi më i madh është prania e regjimit në Shqipëri. Disa nga anëtarët e MEK, thanë për “Fox News” se ambasada iraniane është vënë në lëvizje dhe ka dërguar nëpunës të inteligjencës saj në Tiranë. Sipas rrjetit televiziv amerikan, Shqipëria është kthyer në një nga objektivat kryesore të regjimit islamik pasi strehoi, më shumë se 3,000 disidentë të lartë iranianë, në vitin 2016. Vetë Këshilli Kombëtar i Iranit (NCRI) deklaroi se regjimi kishte planifikuar t’i vriste në Irak dhe se strehimi i tyre në Shqipëri ishte kthyer në një “pengesë të madhe” për regjimin.

I intervistuar nga “Fox News”, ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, deklaroi se zyrtarët amerikanë e kishin paralajmëruar se duhet të rriste masat e sigurinë për mbrojtjen e tij. Majko ka bërë të ditur për median amerikane se kohët e fundit ka marrë një kërcënim me jetë. “Nuk kam frikë- u shpreh ai- Edhe pse se strategjia e Iranit në rajon është e pashembullt”.

Ministri i Diaspores, Pandeli Majko

Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë amerikan i antiterrorizmit i konfirmoi për “Fox News” se autoritetet shqiptare arrestuan dy operativë iranianë në fillim të këtij viti, nën akuzat për veprimtari terroriste. “Irani ka një histori të gjatë vrasjesh dhe veprimtarish terroriste kundër kundërshtarëve të regjimit, përfshirë këtu edhe një seri vrasjesh dhe sulmesh të përgjakshme në vendet evropiane”, tha zyrtari.

Në fakt zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar vazhdimisht për komplotet terroriste të agjentëve iranianë. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha muajin e kaluar se arrestimet në Paris ishin vetëm një nga dëshmitë e qëllimeve të “errëta” të regjimit. “Komploti në Paris tregon gjithçka që duhet të dini për regjimin: Nga njëra anë po përpiqen të bindin Europën mos të largohen nga marrëveshja bërthamore dhe nga ana tjetër po organizojnë fshehurazi sulme terroriste në zemër të Evropës”, tha ai.

Nga ana tjetër, Mohammad Mohaddessin, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha në një deklaratë për “Fox News” se nuk ka dyshim se sulmet janë urdhëruar nga udhëheqësit e regjimit. “Komplotet e regjimit iranian në Shqipëri dhe në Paris ishin të ngjashme me sulmet e ISIS-it  kundër turmat e mëdha të njerëzve në qytetet europiane- shprehet ai- Këto komplote u planifikuan përkatësisht nga Këshilli i Lartë Iranin i Sigurisë dhe u miratuan nga Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i regjimit”.

Çfarë është MEK dhe si u strehua në Shqipëri?

Më shumëë se vit më parë, rreth tre mijë anëtarë të opozitës iraniane (MEK) u dëbuan më në fund nga Iraku ku ndodheshin nën patronazhin e Sadam Huseinit dhe u strehuan në vendin tonë, mes raporteve se Amerika dhe OKB-ja i paguan miliarda dollarë qeverisë shqiptare për pranimin e grupit opozitar. Anëtarët e Organizatës së Muxhahedinëve Popullorë të Iranit konsideroheshin deri pak vitesh, organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Europian dhe vetë SHBA-të deri në vitin 2012. Kjo lëvizje u krijua në fillim të viteve 1960 si lëvizje proteste kundër regjimit të Shahut të Iranit dhe vepron në emigrim.

Opozita iraniane

Pas mbërritjes së tyre në vendin tonë, disa politikanë të nivelit të lartë të amerikan vizituan Shqipërinë, duke falenderuar Tiranën zyrtarë për strehimin e grupit por edhe për qëndrimin e saj anti-iranian. John Bolton, senatori John Mccain dhe Rudy Juliani, ish kryebashkiaku i Nju Jorkut dhe mik i ngushë i Presidentit Donald Trump, janë takuar në Tiranë me udhëheqësin e opozitës iraniane, Maryam Rajavi, duke i premtuar kthim sa më të shpejtë në shtëpi.

MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, i cili u përball me kundërshtimin e ashpër të MEK-ut . Si pasojë, regjimi iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin.

Shumica e tyre u mirëpritën në Irak nga Sadam Huseini, i cili i ofroi organizatës një territor të pazhvilluar pranë kufirit me Iranin. MEK-u e shndërroi territorin në një qendër me infrastrukturë moderne dhe ekonomi të zhvilluar që u njoh si Qyteti Ashraf. Në Ashraf, MEK iu përkushtua përgatitjes ushtarake të anëtarëve të saj duke u shndërruar në grupin më të madh dhe më të fuqishëm militant kundër regjimit iranian, i cili zhvilloi, për më shumë se dy dekada, një veprimtari intensive terroriste për rrëzimin e qeverisë iraniane. MEK, njëkohësisht, bashkëpunoi ngushtësisht me regjimin e Sadam Huseinit, si gjatë luftës Irak-Iran edhe pas saj. Gjatë operacionit ushtarak për rrëzimin e Sadam Huseinit, forcat e koalicionit bombarduan edhe Qytetin Ashraf të cilin e konsideronin bazë terroriste. Pas pushtimit të Irakut, forcat amerikane dhe muxhahedinët negociuan një pakt paqeje, në bazë të të cilit muxhahedinët dorëzuan armët dhe premtuan t’i ktheheshin jetesës paqësore civile. Si rezultat, rreth 3 mijë muxhahedinëve të Ashrafit iu dha statusi i civilëve të mbrojtur nën Konventën e Gjenevës dhe ushtria amerikane mori përsipër sigurinë e Qytetit të Ashrafit.

Baza e MEK në Shqipëri

Në vitin 2009, ushtria amerikane ia kaloi kontrollin e Ashrafit qeverisë irakiane, e cila premtoi se ata do të trajtoheshin në mënyrë njerëzore. Pavarësisht premtimit, forcat irakiane ndërhynë brutalisht në Ashraf me qëllim vendosjen e kontrollit të tyre policor në zonë, veprime që hasën rezistencë nga muxhahedinët. Konfliktet çuan në dhunë të armatosur që shkaktoi dhjetra viktima mes muxhahedinëve. Qeveria irakiane filloi persekutimin sistematik të tyre dhe dhunë sistematike për t’i detyruar muxhahedinët të largoheshin nga Iraku.

Këto veprime ngallën reagimin e organizatave ndërkombëtare humanitare, nën presionin e të cilave qeveria amerikane i mori në mbrojtje muxhahedinët duke i strehuar në Kampin Liberty të ushtrisë amerikanë në Baghdad.

Bashkë me tërheqjen e amerikanëve nga Iraku lindi nevoja e gjetjes së një zgjidhje të problemit të muxhahedinëve. Për këtë arsye, në vitin 2012, qeveria amerikane e hoqi organizatën nga lista e organizatave terroriste, dhe filloi të kërkonte mundësi për sistemimin e tyre në vende të ndryshme të botës.

Muxhahedinët në pushtet?

Pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore me Iranin, Presidenti Donald Trump i ka çuar marrëdhëniet mes dy vendeve në pikën më të ulët në dekada. Irani është padyshim një nga armiqtë më të vjetër të Uashingtonit dhe jo më kot Shtëpia e Bardhë ka marrë në mbrojte opozitën iraniane, më shpresën së një ditë MEK do ngjitet në pushtet. Këshilltari i Trump, John Bolton ka qenë prej kohësh një mbështetësi i madh i grupit. E njohur për strukturën e fshehtë udhëheqëse si dhe qëndrimin e ashpër ndaj regjimit iranian, muxhahedinët kanë histori të shkëlqyer të marrëdhënieve me ligjvënësit perëndimorë në veçanti amerikanët.

MEK-u ishte një temë që ishte shmangur gjerësisht nga zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit, por tani që Bolton kryeson Këshillin e Sigurisë Kombëtare, MEK ka një shans të rrallë për t’u vetëvendosur si një lojtar serioz në politikëbërjen e SHBA-së. Tani që  janë shumë larg shtëpisë dhe të sigurt në strehën e tyre të re, MEK është shpresa e vetme për përmbysjen e regjimit në Iran dhe SHBA-ja duket është e gatshme të bëjë gjithçka për ta arritur.

Disa prej anëtarëve të MEK në Tiranë

Më Shumë