Sociale

Jugu dhe Perëndimi i Shqipërisë në “flakë”, Ministria e Mbrojtjes tregon për situatën

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion zyrtar mbi situatën e deritanishme të zjarreve në Shqipëri ku në Gadishullin e Karaburunit, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar të jetë aktiv zjarri. Në vendngjarje ndodhen 521 forca ushtarake.

Ndërkohë ka patur një vatër zjarri edhe në Himarë, Livadhë rreth orës 11:00. 

Në qarkun e Shkodrës, zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës. Deri tani janë djegur 10 ha kullotë, ndërsa situata është në monitorim.

Në bashkinë Gjirokastër zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar fshatin Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lengo. Është raportuar një humbe jete dhe një e plagosur.

Puna në terren vijon me të gjitha kapacitetet e qarkut Gjirokastër (MZSH Gjirokastër, Dropull, Tepelenë, Libohovë, Përmet), bashkisë Sarandë dhe mjete të FA si dhe po punojnë forca zjarrfikëse, Policia Shtetit, Forca të emergjencave civile, urgjenca mjekësore me 5 autoambulanca. Po punohet për shuarjen e flakëve edhe nga ajri me helikopterë.

Po ashtu është riaktivizuar vatra në kodrat e fshatit Qesorat, njësia administrative Lunxhëri, bashkia Gjirokastër.

Në vengjarje kanë shkuar 6 zjarrfikës me 2 mjete.

Është riaktivizuar vatra e zjarrit në pyllin e fshatit Shetaj, njësia administrative Ishëm të Durrësit. Forcat e policisë së Shtetit, punëtorë të ndërmarrjeve të bashkisë Durrës dhe dy mjete zjarrfikëse me 6 efektivë po punojnë për të mbajtur nën kontroll flakët.

Gjithashtu, shërbimi i zjarrfikëses në Kavajë ka njoftuar për një vatër zjarri në fshatin Domën në lagjen  Xhelezaj.  Në vendgjarje ndodhen mjeti zjarrfikës me efektivët e MZSH Kavajë.

Në Tiranë, në rrugën “Dine Hoxha”, tek Bregu i Lumit, në Paskuqan ka rënë zjarr në një pikë skrapi. Tre shërbime zjarrëfikëse si dhe shërbimet e policies po merren me normalizimin e flakëve. Nuk ka rrezik për banesat.

Në qarkun e Beratit u njoftua se ka rënë zjarr në shkurre në fshatin Zogas, në Skrapar. Në vendngjarje kanë shkuar forcat dhe mjetet e MZSh Skrapar, të cilët kanë bërë izolimin e flakëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë