Kombetarja

Shqipëria, miqësore në nëntor me modestët e Gjibraltarit

Kombëtarja shqiptare ka siguruar një kundërshtar për një ndeshje miqësore në muaji nëntor. Kuqezinjtë do të përballen me modestët e Gjibraltarit më 11 nëntor, siç bën me dije Federata Shqiptare e Futbollit në faqen e saj zyrtare.

“Sipas marrëveshjes së arritur mes dy federatave, ndeshja miqësore me Gjibraltarin do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 19:00. Kjo është hera e parë që Shqipëria ndeshet me Gjibraltarin, si edhe miqësorja e dytë për kuqezinjtë në program. Kombëtarja shqiptare do të luajë edhe një miqësore ndaj Armenisë më 7 tetor 2020, ndeshje që do të zhvillohet në transfertë”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të FSHF-së.

Gjibraltari do të jetë si një provë për kuqezinjtë para dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Më 15 nëntor Shqipëria do të përballet me Kazakistanin dhe 3 ditë më pas, më 18 nëntor, me Bjellorusinë. Skuadra e trajnerit Reja ka 3 pikë pas 2 ndeshjeve të para në grup, ku mundi 0-2 Bjellorusinë dhe u mund në shtëpi nga Lituania, 0-1. Të katërta skuadrat e grupit kanë nga 3 pikë pas 2 ndeshjeve të para.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë