Sociale

Shqipëria, mes solidaritetit dhe panikut nga tërmetet

Shqipëria sot ka treguar solidaritet duke kontribuuar në veshmbathje, ushqime dhe batanije për Thumanën dhe Durrësin, qytetet më të dëmtuara nga tërmeti i tmerrshëm i së martës.


Piktori Arben Morina, i cili ndodhej pranë ndihmave që po mblidheshin në ambientet e jashtme të Teatrit Kombëtar, u shpreh se kontributet kanë qenë të mëdha si nga ana monetare, ashtu edhe ushqime dhe rroba për fëmijë e të rritur.
“Këta janë shqiptarët e vërtetë,” u shpreh ai, ndërkohë gjatë gjithë kohës falënderonte çdo njeri që afrohej pranë Teatrit me qeset e mbushura plot. Ai shtoi se furgona dhe makina nisen në momente të ndryshme dhe duhen më shumë batanije në zonën e Durrësit.
Një tjetër pikë grumbullimi për ndihmat ishte edhe përpara ambienteve të Bashkisë së Tiranës, ku shikoje gjithnjë e më shumë njerëz të cilët shkonin në drejtim të saj, duke u përpjekur të linin aty çfarë të mundnin. Përfaqësuesit e Bashkisë thanë për Gazetën “Si” se njerëzit kanë kontribuar jashtë mase dhe të gjithë, janë solidarizuar për të ndihmuar të gjithë të prekurit nga tërmeti.

Ndërkohë diçka tjetër me të cilën po përballet i gjithë vendi, është frika. Frika nëse nuk do të ketë të nesërme. Psikologët janë shprehur se të gjithë duhet të ruajnë qetësinë, veçanërisht për fëmijët e vegjël për të cilët stresi post traumatik është edhe më i vështirë.
Psikologja Ariana Muçaj thotë se ata që duhet të trajtohen me më shumë kujdes janë fëmijët, pasi përjetimet emocionale të tyre lënë pasoja të rënda në kujtesën e tyre. Siç mund të jetë frika, ankthi e pasiguria ndaj ambientit ku ata e kanë ndjerë veten gjithmonë të sigurt.

Psikologia Arjana Muçaj


Psikologia shton se për fëmijët duhet bërë kujdes i madh që të mos dërgohen në ambientet ku është përjetuar trauma dhe të përpiqen të zënë kohën e tyre me aktivitete të ndryshme në mënyrë që të mos kenë mundësi për të menduar për atë që ka ndodhur.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe Igjeum që prej mëngjesit të së martës, janë shënuar mbi 300 pasgoditje. Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vijuar gjatë gjithë natës.

Mbi 200 specialistë të kërkim-shpëtimit dhe emergjencave civile nga BE, Greqia, Turqia, Franca, Italia, Kroacia, Rumania, Zvicra, SHBA, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut kanë mbërritur orë pas ore në Shqipëri për të asistuar ekipet shqiptare.
Në kampingun e Thumanës dhe pranë objekteve të dëmtuara janë ngritur 67 çadra në të cilat janë akomoduar 700 banorë. Pranë kampingut të ngritur në qytetin e Durrësit dhe fshatrat Ishëm, Manzë, Sukth dhe Katund i Ri janë ngritur 181 çadra, ku janë akomoduar rreth 1450 banorë, si dhe janë montuar 10 banja fushore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë