Ekspozite

Shqipëria me udhëtim gjeopolitik në hapësirën e Bienales së Venecias

Si i shtyjmë kufijtë tanë fizikë dhe mendorë, pa u bërë superheronj? A mund të bashkëjetojnë realja dhe imagjinarja? Janë këto pyetjet në thelbin e hulumtimit të Driant Zenelit, i cili fton për një ripërkufizim të dështimit, utopisë dhe ëndrrës. Këto pyetje mëtojnë të marrin përgjigje në video-instalacionin skulpturor “Maybe the cosmos is not so extraordinary”, me të cilin Shqipëria përfaqësohet në edicionin e 58-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit, Venecia 2019, e cila çelet më 10 maj.

Filmi paraqet një grup adoleshentësh nga Bulqiza që zbulojnë një kapsulë kozmike, e cila ndjek udhëtimin e kromit; nga nxjerrja dhe përpunimi brenda fabrikës, deri në eksportimin dhe shfrytëzimin e tij në mbarë botën.

Ky kozmos jo dhe aq i jashtëzakonshëm, parë me sytë e artistit shqiptar, bazohet në një projekt shumëdisiplinor, titulluar “Beneath a surface, there is just another surface”, i cili nisi në vitin 2015, në Metalurgjikun e Elbasanit. Projekti dhe titulli i tij, rrjedhin nga novela fantastiko-shkencore “On the way to Epsilon Eridani” (1983), e shkruar nga fizikani dhe shkrimtari shqiptar Arion Hysenbegas. Nëpërmjet rrëfimit dhe performancës filmike, Zeneli sfidon fiksimin e njerëzve me kufijtë e vetë atyre, duke nxjerrë në dritë përgjigjet alternative ndaj brishtësisë së qenieve njerëzore dhe planetit Tokë. Ai sfidon marrëdhënien fizike dhe metafizike midis njeriut dhe hapësirës, materies dhe ëndrrës, gravitetit dhe kontrollit.

Instalacioni zhvillohet nga një film me dy kanale, ngjarjet e të cilit zhvillohen në minierat e Bulqizës, ku, nga viti 1918, është nxjerrë minerali i kromit. Kromi përbën një burim kryesor për zhvillimin industrial të Shqipërisë dhe bie ndesh me konfliktet ekonomike dhe politike në Jugun Global (Botën në Zhvillim). Filmi paraqet një grup adoleshentësh nga Bulqiza të cilët zbulojnë një kapsulë kozmike, e cila ndjek udhëtimin e kromit; nga nxjerrja dhe përpunimi i tij brenda fabrikës deri në eksportimin dhe shfrytëzimin e tij në mbarë botën. Prandaj, ky udhëtim hapësinor “gjeopolitik” e kthen këtë mjedis industrial të errët dhe dramatik në një hapësirë ambivalente për kolaps dhe fluturim.Vepra është e kuruar nga Alicia Knock, kuratore në “Centre Pompidou”, në Departamentin e Artit Bashkëkohor dhe Perspektiv.

Driant Zeneli

Zeneli, i lindur më 1983-shin në Shkodër, jeton dhe punon mes Tiranës dhe Milanos. Në vitin 2008 fitoi Çmimin Ndërkombëtar të Artit Bashkëkohor Onufri, në Tiranë, në vitin 2009 Çmimin e Artistëve të Rinj Europianë Trieste Contemporanea dhe në vitin 2017 Çmimin MOROSO, Itali. Nëpërmjet rrëfimit binar, koreografisë së përpiktë të imazhit dhe zërit, fabrika funksionon jo vetëm si një hapësirë industriale apo qendër gjeopolitike, por edhe si një forcë vizualisht performuese. Nxjerrja e kromit shndërrohet në një imazh skulpturor hipnotik dhe, si pasojë, e tërë fabrika përkthehet në një instalacion të madh “paralel” të dritës dhe zërit, i vulosur organikisht në muret e Arsenales, në Venecia. Në këtë hapësirë produktive dhe magjepsëse, Driant Zeneli synon të krijojë tension midis një realiteti shtypës nëntokësor dhe një hapësire utopike të mundësisë dhe çlirimit.

 

Më Shumë