Ekonomi

Shqipëria më e ekspozuara ndër vendet europiane ndaj pasigurisë për ushqim

Një raport i Bankës Botërore me titull “Pasiguria ushqimore në varësi të të ardhurave të familjeve” vëren se Shqipëria renditet ndër vendet europiane me ekspozimin më të lartë të të varfërve ndaj mungesës së sigurisë ushqimore. Më keq se Shqipëria renditen vetëm disa vende të Afrikës.

Sipas Bankës Botërore, popullsia e varfër në Shqipëri, e cila përfshihet në 20%-in më të ulët të të ardhurave, është shumë e ekspozuar ndaj pasigurisë ushqimore.

60% e popullsisë së varfër në vend janë të ekspozuar ndaj mungesës së ushqimit dhe cilësisë jo të mirë të tij. Në të njëjtën kohë të pasurit kanë një ekspozim më të ulët, pasi pak më pak se 10% e tyre janë të ekspozuar ndaj fenomenit të pasigurisë ndaj ushqimit.

Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e INSTAT që tregojnë se Shqipëria ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në Europë në tërësinë e shportës që është një tregues indirekt i varfërisë. Sipas të dhënave më të fundit të vitit 2019, rreth 41% e shpenzimeve totale shqiptarët i kanë shpënë për t’u ushqyer. Kjo pjesë në Kosovë është 34%, 33% në Maqedoninë e Veriut, 27% në Bosnjë dhe më pak se 24% në Serbi e Mal të Zi. Ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian e peshës së ushqimeve në totalin e shpenzimeve për konsum është 12%.

Banka Botërore në raport ka analizuar zhvillimin e qëndrueshëm global të përcaktuar në objektivat e Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2031. Ajo vëren se, ende një përqindje më e madhe e njerëzve sidomos në vendet në zhvillim dhe ato të varfra përballen me mungesën e sigurisë ushqimore, që përfshin aksesin e kufizuar në ushqim, mungesën e shumëllojshmërisë së ushqimit dhe cilësinë e dobët të tij.

Me krizën ekonomike që ka krijuar Covid-19, popullsia e paushqyer po rritet, pas një rënieje prej një dekade.

Sipas BB-së nënushqyerja është e lidhur ngushtë me mungesën e sigurisë për ushqim. Pasiguria për ushqimin shfaqet në mënyra të ndryshme. Këto variojnë nga pasiguria rreth aftësisë për të marrë ushqim, pra që u duhet të bëjnë kompromis për cilësinë dhe shumëllojshmërinë e ushqimit, deri te mosngrënia për një ditë të tërë.

Mungesa e sigurisë ushqimore trajton kompleksitetin e urisë. Ky tregues dallon nga të tjerët se ka dalë nga një sondazh i drejtpërdrejtë me familjet me 8 pyetje dhe mbi një sërë përvojash të pasigurisë ushqimore në secilin vend. Përgjigjet e tyre përdoren për të përcaktuar probabilitetin që një familje të përjetojë pasiguri të moderuar ose të rëndë të ushqimit.

Pasiguria e rëndë e ushqimit është e lidhur ngushtë me mosushqyerjen ose përjetimin e urisë. Edhe pse pasiguria e moderuar e ushqimit nuk mund të sinjalizojë drejtpërdrejt kequshqyerjen, ajo kap popullatën e prekshme nga kequshqyerja dhe shëndetin e dobët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë