Tokio 2020

Shqipëria me 9 sportistë në Olimpiadë, Briken Calja shpresa e madhe për medalje

Në Tokio 2020 Shqipëria do të përfaqësohet me 9 sportistë, të cilët u përkasin 6 disiplinave të ndryshme: atletikë, peshëngritje, qitje, not, xhudo dhe gjimnastikë artistike. Peshëngritësi Briken Calja dhe atletja Luiza Gega janë flamurmbajtësit e delegacionit shqiptar, që do të parakalojë mes gjithë vendeve të botës.

Ekipi olimpik shqiptar. Gazeta Si, 23 korrik 2021

I pari nga sportistët shqiptarë do të garojë gjimnasti Matvei Petrov, rusi i natyralizuar në shqiptar dhe i shpallur kampion i Eruopës pak kohë më parë. Ai konkurron në gjimnastikë artistike dhe do të garojë më 24 korrik, ditën e dytë të Olimpiadës. Për këtë arsye ai ishte i pari që shkoi në Tokio. Petrov ka shanse reale për të marrë medalje.

Programi i garave të sportistëve shqiptarë në Tokio. Gazeta Si, 23 korrik 2021

Më pas, më 25 korrik, radhën e kanë qitësja Manuela Delilaj, e cila është stërvitur në Zvicër dhe do të garojë në disiplinën e pistoletës. Po këtë ditë garon edhe xhudisti Indrit Çullhaj, në peshën 66 kilogramë. Më 27 korrik është radha e notarit Kledi Kadiu.

Shpresat e mëdha për t’i dhënë Shqipërisë një medalje olimpike, siç e pohoi edhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, janë te peshëngritësi Briken Calja. Ai do të garojë më 28 korrik, në peshën 73 kilogramë. Calja është një pretendent serioz në peshën e tij për të fituar medalje, aq më tepër një nga rivalët e tij kryesorë, turku Ismailov, ka dalë pozitiv me doping dhe është skualifikuar.

Briken Calja gjatë një gare. Gazeta Si, 23 korrik 2021

Qitësja Manuela Delilaj garon edhe më 30 korrik, në disiplinën e pistoletës sportive. Po këtë dita do të zhvillojë garën e saj edhe notarja Nikol Merzinaj, në 50 metra. Më 31 korrik atleti i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj, zhvillon garën e parë kualifikuese. Këtë ditë garon edhe peshëngritësi tjetër, Erkand Qerimaj, në peshën 81 kilogramë.

E fundit do të garojë atletja Luiza Gega, në specialitetin e saj, 3000 metra me pengesa. Ajo garon më 1 gusht me objektivin për t’u kualifikuar për në finalen e 4 gushtit. Nëse kualifikohen, gjimnasti Matvei Petrov do të zhvillojë finalen më 1 gusht, ndërsa atleti Izmir Smajlaj, më 2 gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë