Shendet

Shqipëria kapërcen pragun e epidemisë së gripit, përhapja e Covid në Kinë nuk është rrezik

Gazeta Si- Shqipëria kapërcen pragun e epidemisë së gripit duke arritur shifrën më të lartë të infektimeve mbi 17 mijë të prekur, kur pragu është 15 mijë.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se tashmë ndodhemi në kulmin e qarkullimit të gripit, të tipeve A dhe B dhe më pak covid.

Sipas tyre, kjo e bën Shqipërinë të parrezikuar nga situata e krijuar në Kinë, ku afro 80 përqind e popullatës është e infektuar nga covid.

Eksperti Alban Ylli thotë për Gazetasi.al se nënvariantet e reja Covid, me gjasë do të vijojnë të vijnë në vendin tonë nga Perëndimi dhe jo nga Kina.

“Aktualisht në Shqipëri qarkullimi i koronavirusit po bëhet gjithnjë e më endemik, pra në formën e një viroze stinore, gjithnjë e më pak e përhapur dhe jo dominuese”, thotë Ylli.

Sipas ekspertëve kjo vërtetohet dhe me shifrat gjithnjë e më pak të shtrimeve në spitalin infektiv në QSUT dhe rasteve të reja ditore të infektuara.

“Në spital rastet më të larta janë pacientët e prekur nga gripi stinor dhe jo covid.

Kjo periudhë përkon me kulmin e jemi në një situatë të zakontë dimri, ku qarkullojnë shumë viroza njëkohësisht”, thonë ekspertët për Gazetasi.al.

Imuniteti hibrid, mbrojtja më e mirë nga covid

Imuniteti hibrid i dhënë nga një përzierje e vaksinimit kundër Covid dhe rikuperimit nga infeksioni ofron mbrojtje më të madhe kundër formave të rënda të sëmundjes Sars-CoV-2 sesa vetëm infeksioni.

 Kjo është ajo që del nga një përmbledhje sistematike e 26 studimeve të botuara në 'The Lancet Infectious Diseases', rezultat i një bashkëpunimi midis Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Unity Studies dhe SeroTracker. “Analiza tregon avantazhet e kryerjes së vaksinimit edhe pas infektimit me Covid”, nënvizon OBSH.

Sipas saj,  mbrojtja kundër sëmundjeve të rënda dhe shtrimit në spital mbetet e lartë 12 muaj pas zhvillimit të imunitetit hibrid ose pas një infeksioni nga Sars-CoV-2, krahasuar me të gjithë të pavaksinuar dhe të pa infektuar. 

 Në veçanti, një vit pas zhvillimit të imunitetit hybrid,  shfaqet një probabilitet më i ulët prej të paktën 95% të kontraktimit të rëndë të Covid-19 ose që kërkojnë shtrimin në spital, ndërsa te njerëzit e infektuar një vit më parë, por të pa vaksinuar, rreziku është 75% më i ulët. 

"Mbrojtja kundër riinfeksionit u zbulua se ishte më e vogël se ajo kundër sëmundjeve të rënda, të shkaktuara nga koronavirusi pandemik, megjithëse ende thelbësore”, vëren OBSH.

Njerëzit me imunitet hibrid kanë 42% më pak gjasa të riinfektohen" nga Sars-CoV-2. një vit më vonë, ndërsa të infektuarit kanë vetëm një rrezik 25% më të ulët”.

Vaksina dhe shërimi mbrojtja më e mirë kundër Covid

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në nivel global, rreth 2.8 milionë raste të reja dhe mbi 13 000 vdekje u raportuan në javën nga 9 deri më 15 janar 2023. 

Në 28 ditët e fundit (19 dhjetor 2022 deri më 15 janar 2023), rreth 13 milionë raste dhe pothuajse 53 000 vdekje të reja u raportuan në nivel global, një rënie prej 7% dhe një rritje prej 20%, respektivisht, krahasuar me 28 ditët e mëparshme. 

Që nga 15 janari 2023, mbi 662 milionë raste të konfirmuara dhe mbi 6.7 milionë vdekje janë raportuar globalisht.

Sipas OBSH, në Shqipëri, raportohen zyrtarisht nga 3 janari 2020 deri në 20 janar 2023, 333,140 raste të konfirmuara të COVID-19 me 3,596 vdekje. 

Që nga 8 janari 2023, janë administruar gjithsej 3,042,696 doza vaksinash.

OBSH thotë se fundi i pandemisë akoma nuk ka ardhur ndaj rekomandon që tubimet të menaxhohen mirë, pavarësisht nga madhësia, lloji dhe niveli i tyre

“Aplikimi i masave shtesë paraprake, shtyrja ose anulimi i ngjarjeve të çdo madhësie duhet gjithmonë të merren parasysh pas një vlerësimi të rrezikut, përfundimet e të cilit tregojnë se rreziqet e lidhura janë më të mëdha se përfitimet të një ngjarjeje”, thotë OBSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë