Kombetarja

Shqipëria humbet edhe në Suedi. Kuqezinjtë përmirësojnë lojën, por shpërdorojnë shumë

Gazeta Si – Shqipëria humbet edhe miqësoren e dytë të marsit. Kuqezinjtë janë mundur 1-0 nga Suedia në Stokholm, por me një lojë krejtësisht ndryshe nga ajo me Kilin. Më shumë kontroll topi dhe më shumë raste për shënim, por përsëri 0 gola.

Trajneri Silvinjo këtë herë provoi një rreshtim të ri taktik, duke kaluar nga 4-2-3-1 i tij preferuar në 4-3-3. Laçi ishte forca e shtuar në mesfushë, Bajrami u spostua në të majtë të sulmit dhe Broja zuri vend në qendër të tij. Ndryshimi tjetër ishte aktivizimi i Balliut në vend të Hysajt në të djathtë të mbrojtjes.

Skuadra jonë funksionoi shumë më mirë në krahasim me ndeshjen me Kilin. Pas minutës së 10-të kuqezinjtë dolën në lojën e tyre dhe Braja fitoi duelin e shpejtësisë me një mbrojtës kundërshtar, që e ndali në mënyrë të parregullt, por gjyqtari rumun vazhdoi lojën, duke tërbuar edhe stolin e Shqipërisë.

Gjatë pjesës së parë Kombëtarja jonë rrezikoi me Bajramin dhe Laçin. Broja devijoi në rrjetë një gjuajtje të Mitajt, por ishte në pozicion të parregullt dhe goli u anulua. Suedia në anën tjetër goditi shtyllën me Forsberg, kurse në dy raste të tjera u ndal nga Strakosha, edhe ai këtë herë në një formë më të mirë se në testin e pak ditëve më parë.

Në pjesën e dytë Asani dy herë dhe Bajrami kishin mundësi të mirë për të shënuar, por gabuan në momentin final. Në minutën e 62-të Suedia kaloi në avantazh me Nilson, pas një goditjeje të saktë me kokë në zonë.

Trajneri Silvinjo bëri ndërrimin e parë në minutën e 72-të, duke futur në fushë Baren në vend të Laçit. Më pas Hysaj zuri vendin e Balliut, Cikalleshi të Brojës, Hoxha të Bajramit dhe në fund Muçi dhe Muçolli për Asanin dhe Ramdanin.

Gjimshiti pati një rast për të barazuar shifrat, por nuk gjeti kuadratin. Pavarësisht sulmeve të shtuara të kuqezinjve në fundin e ndeshjes, edhe kjo miqësore ka përfunduar me humbje. Rezultati është zhgënjyes, por Kombëtarja përmirësoi dukshëm nivelin e lojës. Në disa raste pati edhe veprime egoiste nga lojtarët tanë, çka tregon se mendja është të lista zyrtare e Europianit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë