Kombetarja

Shqipëria e rinuar gjunjëzon Izraelin, vendos goli i Xhakës

Nga Fatjon Rupi - Një gol mjaft i bukur i shënuar nga Taulant Xhaka 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë i ka dhënë fitoren Shqipërisë në ndeshjen me Izraelin, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Skuadra e rinuar nga trajneri Kristian Panuçi ka dhënë sinjale vërtet pozitive për të ardhmen me këtë fitore, edhe pse me rezultatin e ngushtë, 1-0. Loja e kuqezinjve ka funksionuar, duke i dhënë të drejtë trajnerit italian, i cili kishte thënë se eksperimentet kanë përfunduar dhe tani nisin ndeshjet e vërteta të Shqipërisë.

Lojtarët që luanin për herë të parë një ndeshje zyrtare si titullarë, mbrojtësi Egzon Binaku dhe sulmuesit Sindrit Guri e Enis Gavazaj, janë përshtatur mirë në lojë, ndërkohë që Basha, Xhaka dhe Hysaj janë mundur të bëjnë liderin e ekipit. Thomas Strakosha ka qenë i mrekullueshëm me pritjet e ti, duke i dhënë fund dilemës së titullarit të portës kuqezi. Shiritin e kapitenit e ka mbajtur Jahmir Hyka, që ka bërë një ndeshje të mirë, sidomos në pjesën e dytë, kur ishte i rrezikshëm me disa depërtime të tij.

Shqipëria para ndeshjes me Izraelin

Pjesa e parë ka qenë plot emocione, ku kuqezinjtë mund të gjenin golin e avantazhit, por edhe mund të pësonin, sepse rastet kanë qenë të pastra në të dyja portat. Meritë kryesore ka portieri Thomas Strakosha, i cili ka shmangur të paktën tre herë golin. Rasti më flagrant ishte ai i Zahavit, i cili nuk arriti të përfitonte nga gafa e Gjimshitit, që ktheu topin prapa. Edhe sulmuesi izraelit bëri një gafë, duke mos shënuar me portën e boshatisur. Dy herë Sindrit Guri, titullar në majën e sulmit, kishte në këmbë topin e golit, por nuk ia doli, ashtu si dhe Memushaj. Duhej të vinte minuta e 55-të, që Shqipëria të gjente golin e avantazhit me Xhakën. Mesfushori shkarkoi të djathtën në hyrjë të zonës dhe topi pushoi në rrjetën e portës izraelite.

Shqipëria e ka kontrolluar mirë lojën, duke krijuar edhe dy raste mjaft të pastra për golin e dytë me Hysajn dhe Hykën, por asnjëri nuk u tregua i saktë. Pasi kishte hedhur në fushë Balajn në fillim të pjesës së dytë, duke lënë në dhomat e zhveshjes Gurin, trajneri Panuçi forcoi mbrojtjen me Herdi Prengën dhe Mërgim Mavrajn, të cilët zunë vendin e Gavazajt dhe Veselit. Skuadra kuqezi ka bërë një lojë të mirë në momente të caktuara, por ka pasur raste që ka lënë shumë hapësira prapa. Gjithsesi, ia ka dalë që ta nisë ligën e Kombeve me fitore edhe kjo është shumë e rëndësishme, është një shtysë e fortë për më tej. Shqipëria kryeson tashmë grupin e saj, ku bën pjesë edhe Skocia, që nuk kishte ndeshje dhe që më 10 shtator do të presë kuqezinjtë.

Taulant Xhaka feston golin e fitores

Trajneri Kristian Panuçi guxoi dhe e kaloi me sukses provën e parë të vështirë, pasi edhe kundërshtari ishte i tillë. Pa lojtarë me shumë peshë si Armando Sadiku, Odise Roshi, Eros Grezda dhe Arlind Ajeti, skuadra kuqezi ia doli të gjunjëzojë Izraelin dhe t’i japë vetes shanset e duhura për të bërë më të mirën në Ligën e Kombeve.

Ndeshja është zhvilluar nën masa ekstreme sigurie dhe ka kaluar pa problem. Para saj, mbi stadiumin “Elbasan Arena” janë parë të flututojnë edhe helikopterë, ndërsa snajperët kishin zënë vend në pallatet përreth. Rrugët e Elbasanit ishin mbushur me forca të shumta policie. Janë kthyer në stadium për të mbështetur Kombëtaren dhe e kanë bërë shumë mirë detyrën e tyre “Tifozët Kuqezi”, ndërsa grupimi “Plisat” e bojkotuan këtë ndeshje, pasi nuk ishin dakord me masat e rrepta të policisë dhe faktin që duhej të ishin në stadium shumë kohë përpara se të niste ndeshja.

Strakosha fiton një dyluftim ajror

Pas ndeshjes, i lumtur për fitoren, trajneri Panuci ka theksuar se skuadra mund të përmirësohet, sepse bëri disa gabime, por ai vlerësoi pjesën e dytë dhe i komplimentoi lojtarët: “Gabuam shumë në pjesën e parë dhe kundërshtari na rrezikoi me lojtarë si Dabur dhe Zahavi. Janë zmadhuar humbjet tona në ndeshjet miqësore, sikur të kishim humbur dy finale Botërori. Kur mora drejtimin e Shqipërisë, ishim në vend të 4-t dhe më aps kaluam në vend të 3-të. Në Skoci shkojmë për fitore, por duhet të rregullojmë disa problem. Tani na duhet të jemi me “këmbë në tokë”. Dua t’i komplimentoj lojtarët, sidomos për pjesën e dytë, që ishte shumë e mirë. E kam thënë gjithmonë se do të provonim lojtarët para se të nisin ndeshjet kualifikuese, që skuadra të jetë solide. Nuk e di pse përmendni gjithmonë eksperimentet. Vendosa për Strakoshën, sepse ka luajtur më shumë te skuadra e tij. Duhet të përmirësojmë lojën në daljet tona me top përpara, pasi kemi gabuar 4 herë në zonën difensive.  Binaku ka bërë një ndeshje të mire, por jam i kënaqur edhe me kombinimet e Gavazajt në krah, si dhe me Gurin. Të shohim çfarë do të ndodhë në Skoci dhe më pas të bëjmë llogaritë. Nuk duhet të fluturojmë”, - tha trajneri i kuqezinjve.

Trajneri Panuçi gjatë ndeshjes

Shqipëri-Izrael 1-0

Shënues: Xhaka 55’

Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Veseli (Mavraj 84’), Gjimshiti, Binaku, Basha, Xhaka, Memushaj, Gavazaj (Prenga 71’), Hyka, Guri (Balaj 46’). Trajner: K.Panuçi

Izraeli: Haimov, Dasa, Kapiloto, Habashi, Naço, Zahavi, Kajal, Dabur, Jeini, Tauatha, Peretz. Trajner: A.Herzog


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë