Kombetarja

Shqipëria e Rejës ‘fut ujë’, Izraeli na bën të vegjël!

Gazeta Si - Shqipëria e Rejës ‘fut ujë’ dhe rrezikon të ‘fundoset’. Kombëtarja është mundur 1-2 nga Izraeli në “Air Albania”. Një ndeshje që ka zbuluar edhe më qartë defektet e skuadrës, pas atyre që u shfaqën në pjesën e dytë ndaj Islandës.

Për herë të dytë brenda pak ditësh, Shqipëria nuk arrin të ruajë avantazhin. E nëse herën e parë i shpëtoi humbjes, këtë herë jo. Shumë gjëra nuk shkojnë, lojtarët duken të lodhur, por trajneri patjetër që ka përgjegjësitë e tij. Shumë përgjegjësi madje.

Nga ndeshja Shqiperi-Izrael, 1-2. Gazeta Si, 10 qershor 2022

Reja nuk po bën dot as atë që trajnerët italianë kanë ‘armën’ kryesore: mbrojtjen e rezultatit. Kombëtarja nuk po bind as në lojë dhe as në rezultate. Ndoshta është momenti për ndryshim në stol.

Mendësia po ashtu është larg asaj të një skuadre fituese. Mjafton një gol i pësuar dhe skuadra fiket. Një dorëzim gati i pashpjegueshëm, çka vërteton se jemi ende larg asaj që pretendojmë.

Një ekip që ka nisur rinovimin si Izraeli na bëri të dukeshim aq të vegjël. Madje para tifozëve kuqezi. Mbase e ngritëm më shumë se duhet stekën thjesht dhe vetëm se kemi lojtarë që luajnë me klube me emër.

Përmbysja e sotme na tregoi se të bërit ekip kometitiv kërkon të tjera gjëra, frymë grupi mbi të gjitha. Pastaj sakrificë dhe profesionalizëm në çdo moment.

Shqipëria e mbylli pjesën e parë në avantazh 1-0, pas golit të Brojës me penallti. Izraeli na goditi dy herë në të dytën, duke na zbritur me këmbë në tokë. Solomon ndëshkoi 2 herë Berishën me kundërsulm.

Herën e parë skuadra u pak e papërgatitur dhe Gjimshiti u driblua lehtë. Në të dytin Berisha mund të bënte më mirë, duke e nxjerrë topin në fundore, në vend që t’ia dhuronte kundërshtarit. Reagimi më pas ishte shumë i dobët dhe skuadra konfuze.

Arbitrimi nuk mund të jetë kurrsesi justifikim për humbjen, edhe pse na anuloi një penallti dhe një gol të Hysajt. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim urgjent në mendësi, por edhe teknik.

Për Rejën mund të ketë nisur numërimi mbrapsht.

Shqipëri-Izrael 1-2
Shqipëria: Berisha, Gjimshiti, Ismajli, Veseli (Çekiçi), Hysaj, Balliu, Asllani (Ramadani), Abrashi (Vrioni), Bajrami (Gjasula), Broja, Uzuni (Balaj). Trajner: Reja
Izraeli: Marçiano, Dasa, Goldberg, Vitor, Leidner, Peretz, Karzev, Xhaber, Solomon, Abada, Vaisman. Trajner: Hazan


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë