Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në një konferencë për shtyp ka bërë me dije se pas përcaktimit të gjithë Italisë si zonë e kuqe, qeveria ka vendosur të pezullojë të gjitha lëvizjet drejt dhe nga fqinji Itali.
“Nëse autoritetet italiane do të dëshirojnë të dërgojnë avionë dhe anije bosh për të marrë shtetasit e tyre apo shtetas të kombësive të tjera, ne do të jemi shumë bashkëpunues, por nga Tirana drejt Italisë dhe nga Italia drejt Tiranës nuk do të ketë as fluturime, as lëvizje me tragete. Udhëtimet e fundit me traget do të jenë ato të sotshme nga Vlora në Brindizi dhe nga Durrësi në Bari”- u shpreh ministrja Balluku.
Ajo u kërkoi kompanive të fluturimit që për personat që kanë blerë tashmë biletat për ditët në vazhdim, tu bëjnë shtyrje të afatit kohor për një periudhë të mëvonshme siç kanë bërë Austrian Airlines dhe Air Albania.
Ministrja Balluku ritheskoi edhe një herë se tregtia nuk do të bllokohet si me ajër, ashtu edhe me det, por personeli i mjeteve transportuese do të jetë nën kontroll të stafit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministria evidentoi se në sportelet e institucioneve të varësisë që ofrojnë shërbime publike dje është vënë re numër më i vogël njerëzish nëpër sportele.
“Kemi vënë re numër më të ulët në sportelet e Drejtorisë së Transportiot Rrugor dhe OSHEE- së. Ne këshillojmë që njerëzit të përdorin shërbimet online dhe të eleminojnë sportelet dhe grumbullimet. Është e patolerueshme për kushtet e sigurisë për të parandaluar infektimin me virusin e ri që të grumbulloheni pranë sporteleve gjithë ditën”- tha Ministrja Balluku.
Ajo bëri me dije se do të merren masa për transportin urban, pas mbledhjes së komitetit ad hock, pasi ka një plan konkret.
Gjithashtu do të merren masa edhe për transportin ndërqytetas, por do të jetë shumë e vështirë dhe do të bëhet shumë kujdes, u shpreh Balluku, sepse ka njerëz që e përdorin për punë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




