Kombetarja

Shqipëria bën detyrën, por sa shumë vuajtje ndaj Moldavisë!

Nuk ishte një ndeshje brilante, por kuqezinjtë kanë bërë detyrën në “Elbasan Arena”, kanë fituar 2-0 ndaj Moldavisë, me golat e Cikalleshit dhe Ramadanit. Trajneri Reja regjistron fitoren e parë në stolin e Shqipërisë, që tani ka 6 pikë dhe mbetet në vend të katërt në Grupin H, por 3 pikë larg vendit të parë, që mbahet nga Franca me 9 pikë, po aq sa kanë edhe Turqia dhe Islanda. Kualifikimi mbetet i hapur, por sigurisht që Shqipëria duhet të përmirësojë lojën e saj, që të ketë edhe më shumë tifozë në stadium, sepse ndaj Moldavisë u desh të hapeshin portat që stadiumi të mbushej disi.

Shqipëria vuajti jo pak për të mundur Moldavinë. Dominimi territorial i skuadrës së Rejës ishte i dukshëm, por gjatë 45 minutave të para rastet për shënim nuk u shfrytëzuan si duhet. Trajneri Edi Reja kishte bërë disa ndryshime në krahasim me ndeshjen me Islandën. Kapiteni Mavraj zuri vendin e Dermakut në mbrojtje, Kaçe të Bashës dhe Ramadani të Xhakës në mesfushë, ndërsa në sulm u preferua dyshja Sadiku-Uzuni në vend të Balaj-Cikalleshi. Në fragmente të ndryshme të lojës pati edhe vështirësi, pasi kundërshtari luajti i tërhequr në gjysmëfushën e tij dhe Shqipëria tentoi me topa të gjatë për të gjetur golin. Po ashtu, skema e re e lojës nuk është interpretuar si duhet nga skuadra jonë, veprimet e së cilës ishin të paautomatizuara në disa momente.

Nga ndeshja Shqipëri-Moldavi, 2-0

Me futjen në lojë të Cikalleshit dhe Roshit pak minuta pas nisjes së pjesës së dytë, loja e kuqezinjve fitoi më shumë shpejtësi dhe rrezikshmëri. Të dy u bënë protagonistë të golit të avantazhit, kur futbollisti fierak, pas një depërtimi të tij tipik në zonë, i ndihmuar pak edhe nga fati, shërbeu për kavajasin, i cili shënoi me portën e boshatisur. Edhe një herë Roshi vërtetoi se është mjaft i rëndësishmë për lojën e skuadrës sonë. Më pas Shqipëria e kishte më të lehtë të kontrollonte lojën dhe u kujdes më shumë për të mbrojtur rezultatin. Në një aksion të shpejtë në shtesë, Ramadani realizoi golin e dytë me një goditje potente me të djathtën. Ka debutuar në këtë ndeshje me Kombëtaren mesfushori i ri, Kristi Qose.

Shqipëri-Moldavi 2-0
Shënues: Cikalleshi 66’, Ramadani 93’
Shqipëria: Berisha, Ismajli, Veseli, Mavraj, Hysaj, Lenjani (Roshi 59’), Kaçe (Qose 84’), Abrashi, Ramadani, Uzuni, Sadiku (Cikalleshi 58’). Trajner: Edi Reja.
Moldavia: Koselev, Jardan, Efros, Armas, Antoniuc, Cebotaru, Karp, Reabciuk, Suvorov, Ginsari, Damaskan. Trajner: Aleksrandru Spiridon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë