Kombetarja

Shqipëri shterpë, goli bëhet makth për kuqezinjtë

Fatjon Rupi – Fitorja në një ndeshje miqësore nuk të jep asnjë pikë, por çdo skuadër e rrit moralisht dhe i largon presionin, përveçse shuan ndonjë dyshim të trajnerit. Shqipëria nuk ka mundur të shënojë as në portën e Jordanisë modeste dhe do të shkojë në Izrael me më shumë presion mbi vete, ndërkohë që kritikat ndaj trajnerit Panuçi pritet të shtohen. Vetë emri i kundërshtarit kishte bërë që tifozët në stadiumin “Elbasan Arena” të ishin shumë të paktë në numër. Kuqezinjve nuk u kanë munguar rastet, disa të faluar edhe nga kundërshtari, por goli është bërë tashmë një makth për ta. Sulmi vazhdon të jetë shterpë: në 3 ndeshjet e fundit Shqipëria ka shënuar vetëm 1 gol, që mban autorësinë e mesfushorit Taulant Xhaka. Vetëm një shtyllë nga Uzuni ndaj Jordanisë është shumë pak për skuadrën tonë.

Trajneri Panuçi ka ruajtur disa nga “senatorët” e Kombëtares, duke mos aktivizuar asnjë minutë Strakoshën, Hysajn, Bashën dhe Memushajn. Ai e nisi ndeshjen me tre mbrojtës qendre, me Mavrajn, i cili është zgjedhur tashmë kapiteni i përhershëm I kuqezinjve, Gjimshitin dhe Mihajn. Por ky i fundit u dëmtua pas pak minutash dhe vendin e tij e mori Veseli. Në skemën e lojës nuk ndryshoi gjë. Binaku luajti më i avancuar në të majtë, ndërkohë që në qendër të mesfushës luajtën nga minuta e parë Lila, Ramadani dhe Xhaka. Gavazaj ishte vendosur në të djathtë, ndërsa në sulm u aktivizuan Grezda dhe Manaj. Në pjesën e dytë trrajneri Panuçi bëri 5 ndërrime, duke hedhur në fushë Balajn, Ndojin, Uzunin dhe Dermakun që debutuan me fanellën kuqezi, si dhe Lenjanin.

Mavraj, kapiteni i Kombëtares, në aksion

Ndeshja ka qenë e gjitha nën kontrollin e kuqezinjve, pasi Jordania nuk kishte fuqi ta kërcënonte portën e Berishës. Eros Grezda, shumë larg formës së tij të dikurshme, ndoshta për shkak të dëmtimit që kaloi, shpërdoroi tre mundësi të mira në pjesën e parë. Në fillim gjuajti keq, pas asistit të Gavazajt, në një tjetër u tregua egoist, ndërsa në rastin e tretë pretendoi për penallti, që nuk u akrdua nga kosovari Nuza. Një rast që vlen të veçohet është ai i Balajt, i future në fushë në pjesën e dytë. Ai goditi bukur me kthesë, por portieri i Jordanisë u tregua i vëmendshëm. Uzuni do të kishte bërë debutimin ideal me Kombëtaren, nëse shtylla nuk do t’i kishte mohuar golin. Gjithçka është mbyllur 0-0 dhe kjo provë nuk ishte aspak bindëse për kuqezinjtë, pavarësisht dominimit territorial dhe rasteve për shënim. Kundërshtari ishte shumë i dobët, por Shqipëria nuk arriti ta mundë. Tani vëmendja kalon tek Izraeli, me shpresën që me formacionin më të mirë kuqezinjtë të jenë ndryshe.

Ramadani në një dyluftim ajror

Pas barazimit në “Elbasan Arena”, trajneri Panuçi u shpreh: “Kishim 5-6 raste për shënim dhe e meritonim të fitonim. Ndaj një skuadre si Jordania ishte e vështirë, sepse ajo vetëm u mbrojt. Qëndronin me 10 lojtarë prapa dhe hasëm vështirësi, por rastet u krijuan dhe meritonim fitoren. U kushtëzuam nga dëmtimet, nga Mihaj dhe Ramadani, ndërsa për Gjimshitin nuk mendonim të luante 90 minuta. Tani duhet të rikuperojmë energjitë për Izraelin, kemi 4 ditë kohë. Hysaj, Basha dhe Memushaj qëndruan pushim, pasi nuk preferova t’i ngarkoj më shumë fizikisht. Lojtarët ishin seriozë dhe profesionistë, dhanë maksimumin dhe na mungoi vetëm goli. Ndryshuam skemën në pjesën e dytë, duke kaluar në mbrojtjen me 4, me të cilën lojtarët janë më të familjarizuar. Uzuni u paraqit mirë, edhe Grezda. Kjo  paraqitje na bën optimistë për ndeshjen në Izrael.”      

Pas ndeshjes me Jordaninë ka folur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili theksoi mes të tjerash se kundërshtari ishte shumë i dobët dhe Shqipëria duhej të kishte fituar: “Rezultati nuk më pëlqen, sepse kundërshtari ishte i dobët, nuk ishte në nivelin e Skocisë. Megjithatë, ishte një ndeshje përgatitore për Izraelin. Pati një mobilizim të lojtarëve të rinj në fushë, ku Uzuni u paraqit mirë, por më erdhi keq për Mihajn, që u dëmtua. Uroj të marrim rezultat pozitiv në Izrael”, – tha presidenti Duka.

Formacionet fillestare të Shqipëri-Jordani

Shqipëria: Berisha, Mihaj, Mavraj, Gjimshiti, Gavazaj, Lila, Xhaka, Ramadani, Binaku, Manaj, Grezda. Jordania: Jasin, Albasha, Shibalaja, Alarab, Khetab, Baniatejah, AlSamrieh, AlMurjan, Abdelrahman, Bakhet, Ersan.

Më Shumë