Kombetarja

“Shqipëri-Izrael” blindon Elbasanin, por rikthen tifozët

Shqipëria dhe Izraeli rikthehen në “Elbasan Arena”, por këtë herë për t’u përballur në një ndeshje që është e vlefshme për kompeticionin më të ri europian, Uefa Nations League. Është ndeshja e parë e këtij grupi, ku bën pjesë edhe Skocia, me të cilën kombëtarja kuqezi do të përballet tre ditë më vonë në transfertë. Kur flitet për ndeshje me Izraelin, kurrsesi nuk mund të flitet vetëm për futboll. Çështja zgjerohet, për të filluar me futbollin dhe për t’u mbyllur te mesazhet e Ambasadës amerikane në Tiranë, që paralajmëron qytetarët e saj për rritje të rrezikut në prag të kësaj ndeshje. Por nëse në ndeshjen e para dy viteve atmosfera ishte shumë e tensionuar, pasi ishte ndryshuar stadiumi, skuadra izraelite u stërvit në ambientet e hotelit, këtë herë duket se situata duket se është pak më e qetë

Masat e policisë

Forca të policisë, përpara hotelit ku qëndroi kombëtarja izraelite, një ditë para ndeshjes Shqipëri-Izrael në vitin 2016

11 nëntorin e vitit 2016, por edhe më herët, në Elbasan kishin zbarkuar më shumë se 2.000 forca policore, ku përfshiheshin forcat speciale RENEA, të FNSH dhe ekipet e antiterrorit. Për sfidën e datës 7 shtator ende nuk janë bërë publike masat zyrtare për ruajtjen e rendit dhe qetësisë gjatë dhe pas kësaj ndeshje futbolli. Dy vite më parë kishte pasur kërcënime për akte terroriste dhe në Shqipëri bashkë me futbollistët kishin ardhur edhe shumë agjentë të shërbimit sekret izraelit, “MOSAD”. Këtë herë, të paktën publikisht nuk ka pasur asnjë alarm për sulme terroriste, por sërish masat e sigurisë janë shumë të larta. Numri i forcave të rendit dhe atyre speciale, por edhe i agjentëve të shërbimeve sekrete shqiptare dhe izraelite pritet të jetë në të njëjtin nivel. Gazeta Si mësoi se edhe për këtë sfidë të ditës së premte, kontrolli për të hyrë në stadium do të bëhet nga forcat e FNSH. Elbasani ashtu si dy vite më parë edhe këtë herë do të jetë i gjithi i “blinduar”. Siguria do të jetë e shtuar jo vetëm në zonën përreth impiantit “Elbasan Arena”, por në të gjithë qytetin. Në pritje të publikimit të masave zyrtare, pritet që shumë prej rrugëve kryesore të Elbasanit të jenë të bllokuara ose me qarkullim të kufizuar. Qyteti do të mund t’i rikthehet normalitetit vetëm mëngjesin e së shtunës, kur të jenë larguar të dyja kombëtaret, Izraeli për në shtëpi, ndërsa kombëtarja kuqezi drejt Skocisë për ndeshjen e dytë të këtyre eliminatoreve të Uefa Nations League.

Çmimet e biletave

Kur bëhet fjala për ndeshjet e kombëtares gjëja e fundit që diskutohet nga tifozët është çmimi i biletave. Por gjithsesi gjithmonë kanë qenë të pranishme shqetësimet e ngritura nga tifozët, për çmimet e kripura që vendosen nga FShF për këto sfida. Edhe këtë herë, për ndeshjen Shqipëri-Izrael, çmimet e biletave janë në nivele të konsiderueshme. Nëse do të bëjmë krahasimin me përballjen e dy viteve më parë, nuk ka ndryshime të mëdha, pasi janë pak a shumë në të njëjtat nivele. Për të parë këtë sfidë nga dy tribunat Vip të “Elbasan Arena” një tifoz do duhet të paguaj 18 ose 16 mijë lek të reja, në varësi se ku e dëshiron ulësen e tij. Çmimet e tjera në tribunën kryesore variojnë nga 6 mijë lekë të reja në 10 mijë lekë të reja. Ndërsa në pjesët e tjera të stadiumit çmimet janë më të ulta dhe bileta më e lirë kushton 1 mijë lekë të reja. Në ndeshjen e 11 nëntorit 2016, stadiumi ishte i mbushur edhe pse shumë i qetë, në krahasim me ndeshjet e tjera kur luan ekipi kuqezi. Edhe këtë të premte nuk pritet që të kemi më pak tifozë, me stadiumin “Elbasan Arena” që do të jetë i gjithi i mbushur, por sërish mbetet për t’u parë se si do të jetë atmosfera.

Rikthimi i TKZ dhe tifozëve ultras

Tifozët Kuq e Zi, gjatë ndeshjes miqësore ndërmjet ekipeve kombëtare, Shqipëri-Francë, 1-0, e luajtur në stadiumin "Elbasan Arena" 

Përtej të gjithave, atmosfera do të varet nga vetë tifozët dhe prania e tyre ditën e premte. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim tashmë është hedhur. Presidenti i FShF, Duka pas një takimi dhe një sërë konsultimesh me drejtuesit e grupimit më të madh në mbështetje të ekipin kombëtar, “Tifozat Kuqezi”, arriti akordin që ata të rikthehen në stadium. TKZ do të rikthehen në stadium dy vite pas bojkotit, që kishte ardhur fill pas ndeshjes me Izraelin ne Elbasan. Aso kohe ky grupim tifozësh pati deklaruar se ishin ndjerë të dhunuar dhe nën presion nga policia e shteti dhe me këtë arsye ata e bojkotuan skuadrën.

“Ajo që ndodhi në ndeshjen Shqipëri-Izrael, nuk kishte të bënte asgjë me lojën e bukur të futbollit. Atë ditë, tifozët shqiptarë prezent në stadium (dhe jo vetëm) ishin viktimë e terrorit shtetëror. Andaj, përshkrimi apo prezantimi i çfarëdo fakti, nuk mund ta përshkruan terrorin që tifozët shqiptarë përjetuan nga policia e shtetit shqiptar.  Ne jemi tifozë, që e duamë këtë Kombëtare dhe këtë Shqipëri. Për arsyen e lartcekur, Tifozët Kuq e Zi, janë të detyruar të marrin vendim për bojkotimin e të gjitha ndeshjeve të radhës brenda, përfshirë këtu edhe ndeshjen me Lihtenshtejnin. Kombëtaren do ta përcjellim vetëm në transferta, atje ku na respektojnë. Me këtë rast, ftojmë policinë e shtetit shqiptar, që të pajisur me kallashnikovë dhe me armë tjera, të bëjë tifozin në tribunë.”- shkruhej në reagimin e TKZ pas ndeshjes me Izraelin në vitin 2016.

Por edhe pse TKZ janë rikthyer në mbështetje të kombëtares, sërish nuk mund të përjashtohet problemet apo incidentet e mundshme. Burime konfidenciale për Gazeta Si konfirmuan se “Tifozët Kuqezi” do të jenë në “Elbasan Arena. Mësohet se ata do hyjnë si grupim, por duke evituar disa prej kontrolleve të rrepta që do të bëhen për të hyrë në stadium.  

Një problem i mbetur akoma pa zgjidhje është e çështja e tifogrupit tjetër në mbështetje të kombëtares, “ILLYRIAN ELITE”. Ata janë në konflikt të hapur me federatën dhe në çdo ndeshje kanë shpalosur edhe banderola kundër saj. Edhe në këtë sfidë përballë Izraelit ata kanë konfirmuar se do të jenë në stadium, por në seksion të ndarë nga ai i TKZ. Kjo çështje në fakt është një problem i ngritur në vitet e fundit. Në shumë ndeshje kemi parë që tifozët të kenë qenë të përçarë dhe kjo gjë ka ndikuar shumë në suportin që jepet për ekipin në fushë.

Përsëritje e atmosferës së ndeshjes së para dy viteve?

Portieri Ertrit Berisha duke dalë jashtë fushës së lojës, pasi është ndëshkuar me karton të kuq, gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael

Ishte disfata 3-0 në Elbasan, ndoshta ajo që shoi përfundimisht shpresat e Shqipërisë për një vend të dytë në grupin eliminator me Spanjën dhe Italinë për “Rusi 2018”. Skuadra atëherë nën drejtimin e De Biazit dukej se frikësuar dhe shumë e ngathët në lëvizjet e saj në fushën e lojës. Në fund të ndeshjes, izraelitet u larguan me një fitore që do e mbajnë mend gjatë, ndërsa Shqipëria dukej e shokuar, pas gjithë atyre masave antiterror dhe asaj humbje befasuese. Pas ndeshjes në mediat vendase filluan të qarkullonin me dhjetëra teori se e gjithë ajo atmosferë u krijua enkas për të vendosur nën presion skuadrën shqiptare, gjë e cila e ndodhi. Nga ndeshja e parë është marrë mësimi se presioni i madh mund të na çojë drejt humbjes dhe këtë herë duket se trajneri, por edhe vetë FShF është kujdesur që ta mbajë më të qetë ambientin përreth ekipit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë