Libra

Shqipëri-Greqi: Rruga e komunikimit kalon mes librit

Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Sourani dhe shkrimtarja greke Noelle Barkshire.

Emri i saj është frëng, mbiemri anglez, ka lindur në Athinë dhe romani i saj i parë sapo ka mbërritur edhe për lexuesin shqiptar. Është shkrimtarja Noelle Barkshire, e cila mbërriti në Tiranë për përurimin e librit të saj “Nga lisi plak dhe shkëmbi”, shqipëruar nga Kristo Pulla. Të pranishëm në ceremoninë e përurimit të këtij libri që vjen në logon e botimeve “Toena” ishin edhe shkrimtarë, përkthyes, njerëz të kulturës, por edhe përfaqësues të diplomacisë si ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Sourani apo deputeti i PBDNJ, Vangjel Dule. Në një klimë disi të tensionuar që kulmoi në manifestimet me thirrje antishqiptare në fshatin Bularat, pas vrasjes së Kostandinos Kaçifas, shtetasit që hapi zjarr mes banorëve të fshatit jugor, ngjarjet kulturore vijnë si një amortizues i mirë për normalizimin e komunikimit mes dy popujve. E këtij mendimi ishte edhe ambasadorja e Greqisë, Sourani, “Kultura është mjeti më i mirë i komunikimit midis popujve dhe shpresoj që literatura greke të sillet në gjuhën shqipe, që dhe emigrantët te ne të kenë mundësi të lexojnë”, tha ambasadorja, ndërsa rrëfeu se ky roman ishte një ndër librat e saj të parapëlqyer “Ky është një libër që tregon në mënyrë domethënëse historinë e popullit grek”, tha ambasadorja.

Ambasadorja e Greqisë,Sourani,  autorja Barkshire dhe botuesja Toçi


Nga Aidini dhe Izmiri e deri në Qipro , Athinë e në Indinë ekzotike shtjellohet historia e një Penelope të kohëve moderne me sfond atdhetë e humbur. Përreth Penelopës si një gajtan me personazhe që lanë gjurmë në jetën e saj: Zoia, Kallfaxhiu që “dinte të shpëtonte njerëz” Paraskevai me instrumentin e tij muzikor, Katina së cilës i vdiq Jordani i saj, Filipi fjalëmbël dhe Foti i shndritshëm, kuzhinierja Frango…
Një roman që trajton me dashuri historinë greke të shekullit XX, të tejmbushur me pamje dhe aroma të asaj kohe.
“Është nder dhe gëzim për mua që ndodhen sot këtu për të promovuar librin tim. Jam pjesë e epokës së sotme, pasi jam dhe unë personazh me shumë origjina për shkak të emrit, i cili është anglez, por unë kam lindur dhe jetuar në Greqi. Termi i atdheut ka marrë shumë kohë në studimet e mia”, u shpreh për të pranishmit autorja Barkshire, ndërsa shtoi se atdheu nuk është e vetmja temë ku zhvillohen ngjarjet.
“E vërteta historike si ngjarje i ngjan kanavacës së qëndisjes, përbën sfondin e rrëfimit përmes jetës së anëtarëve të familjes që trajton libri, ku lëvizim nën ritmet e ngjarjeve të shekullit XX. Përmes ndjenjave të personazhit kryesor, lexuesi ka rastin të kuptojë se si ngjarjet historike ndikuan nivelin personal të këtyre personazheve”, – përfundoi shkrimtarja Noelle Barkshire.


Autorja lindi në Athinë nga një baba anglez dhe nënë greke. Fëmijërinë e kaloi në Kavalla. Studimet për filologji greke i kreu në universitetin e Janinës dhe në Angli kreu studime pasuniversitare për arkeologji. Ka shkruar artikuj në revista e gazeta, si edhe ka botuar disa libra për fëmijë. Libri “Nga lisi plak dhe shkëmbi” është romani i saj parë.
Shkrimtari Besnik Mustafaj, ndërsa bëri një analizë të shkurtër të vlerave të këtij romani tha se “Nëse Kazanzaqis do të ishte gjallë, do ta kishte pëlqyer këtë libër.” Mustafaj tha se ky është një roman universal.
“Shkrimtarja ka një koncept për dramën që është shumë interesant, personazhet e romanit e jetojnë dramën përmes një dashurie të pashtershme për jetën. Personazhet në roman nuk i mund drama. Një pikë tjetër interesante është si e trajton shkrimtarja historinë politike, pasi personazhet nuk e kanë zgjedhur vetë këtë histori, ata e pësojnë këtë histori politike. Personazhet e librit nuk e jetojnë historinë si viktima, por nuk e jetojnë as si heronj, pasi ata nuk duan të marrin përsipër të ndryshojnë rrjedhën e historisë”, – u shpreh Mustafaj, duke çmuar edhe gjuhën e përdorur në libër.


“Në libër shkrimtarja përdor një gjuhë romaneske dhe ka një aktivizim të mrekullueshëm të gjuhës së vjetër, të cilën digjitalizimi e ka nxjerrë jashtë, por që në fakt gjuha e vjetër është gjuha e vërtetë e shpirtit. Gjuha e këtij romani është një vlerë e veçantë”, – tha Mustafaj, duke shtuar se romani ka frymë homerike. “Titulli është i drejtpërdrejtë nga “Odiseja”, personazhi më i rëndësishëm quhet Penelope. Gjatë gjithë romanit ndërhyjnë vargjet e “Odisesë” të vendosura krejt si pjesë e subjektit të shekullit XX, për të shprehur ndjenjat dhe veprimet e personazheve. Shpirti grek i personazheve të Homerit dhe i personazheve të shekullit XX, shkrimtarja i shkrin në pjesën e përjetshme që nuk ndryshon”, – përfundoi shkrimtari Mustafaj. 


Vargjet homerike në krye të çdo kapitulli janë marrë nga versioni i Odisesë me shqipërimin e Pashko Gjeçit.
Publicisti Preç Zogaj, i pranishëm në përurimin e librit e vlerësoi stilin e shkrimtares, duke shtuar se ajo ia ka dalë të jetë një autore bestseller në Greqi. “Është e vështirë të jesh shkrimtar dhe akoma më e vështirë të bësh letërsi në një vend si Greqia, për shkak të traditës së madhe në letërsi”, tha Zogaj. Në fund të takimit, autorja, e cila tha se ky libër i kishte kushtuar disa vite punë, firmosi autografe për lexuesit.
Një tjetër autor grek në stendës e “Toena”, e cila i kushton vëmendje të veçantë letërsisë fqinje në botimet e saj, është edhe Kostas Mourselas, me romanin “Flokë flakë të kuq”, një roman klasik karakteresh, që përshkruan jetën greke të pesëdhjetë viteve të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë