Kombetarja

Shqipëri e shthurur në Francë, Reja dështon me Roshin

Në një ndeshje të nisur në mënyrën më të keqe, ku organizatorët ngatërrojnë Himnin kombëtar të Shqipërisë, kuqezinjtë kanë lënë shumë për të dëshiruar me paraqitjen e tyre në fushë, duke humbur 4-1. Pjesa e parë ishte e tmerrshme, me shumë gabime, me dy gola të pësuar dhe një penallti të humbur nga Grizman. Trajneri Reja i habiti të gjithë me aktivizimin e Odise Roshit në të majtë, ku futbollisti fierak nuk mundi të adoptohej në asnjë moment. Trajneri italian nuk zgjodhi as Binakun dhe as Lenjanin, dy lojtarë natyralë në këtë rol. Në qendër të mesfushës preferoi Ramadanin dhe Baren para Xhakës dhe Memushajt, ndërsa Uzuni mbështeti Balajn në sulm.

Diktati i Francës ishte i jashtëzakonshëm dhe Koman zhbllokoi rezultatin, pasi përfitoi nga gabimi i Roshit. Më pas dyfishoi Zhiru, kurse Grizman nuk mundi të kthente në gol penalltinë e shkaktuar nga Mavraj, pasi topi u përplas në traversën e Strakoshës. Në pjesën e dytë trajneri Reja bëri lëvizje nga stoli, duke i dhënë Gjasulës kënaqësinë e debutimit me fanellën kuqezi në “Stade de Francë”. Më pas Cikalleshi zëvendësoi Balajn, kurse Xhaka Abrashin. Koman shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Francën. Ikone, debutues me Francën në këtë ndeshje, shënoi golin e 4-t 5 minuta para fundit. Ngushëllimi i vetëm ishte goli i nderit, i shënuar nga Sokol Cikalleshi me penallti.

Formacioni i kuqezinjve ndaj Francës. Gazeta Si, 7 shtaor 2019

Edhe pse pa yjet e saj, Franca e ka pasur shumë të lehtë për ta mposhtur Shqipërinë, që ishte shumë larg asaj që pritej sa i takon nivelit të lojës, pasi rezultati pozitiv konsiderohej një “mision i pamundur”. Islanda pas pak ditësh është shansi për të korrigjuar gjithçka, në lojë dhe në rezultat. Ishte një mbrëmje katastrofike kjo e Francës për kuqezinjtë, të cilët nuk shfaqën asgjë nga vlerat e tyre. Duhet forcë për ta kapërcyer këtë moment të vështirë. Kritikat do të bien mbi trajnerin Reja, që e ka të qartë se duhet të ndryshojë shumë gjëra për Islandën. Shqipëria mbetet në kuotën e 6 pikëve në Grupin H, pas 5 ndeshjesh.

Francë-Shqipëri 4-1
Shënues: Koman 8’, 68’, Zhiru 27’, Ikone 85’/ Cikalleshi 90’
FRANCA: Loris, Pavard, Varan, Lengle, Lukas Hernandes (Dinje 80’), Toliso, Matuidi, Koman (Ikone 77’), Grizman, Lemar, Zhiru. Trajner: D.Deshamp.
SHQIPËRIA: Strakosha, Ismajli, Gjimshiti, Mavraj, Hysaj, Ramadani (Gjasula 53’), Abrashi (Xhaka 73’), Roshi, Bare, Balaj (Cikalleshi 63’), Uzuni. Trajner: E.Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë