Kombetarja

Shqipëri e lodhur në Kazakistan. Zhgënjim total, as gol, as lojë

Vetëm një pikë në Kazakistan, pas një barazimi të vakët 0-0. Objektivi i trajnerit Reja është arritur, Shqipëria nuk humbi në këtë transfertë, duhet theksuar se ishin të gjitha mundësitë për fitore. Kundërshtari ishte në një nivel shumë të dobët, nuk e vuri asnjëherë në provë seriozisht portierin Berisha. Në anën tjetër, kuqezinjtë arritën t’i krijonin 3-4 raste goli, pavarësisht nivelit jo të mirë të lojës që treguan, pa freski dhe pa fantazi. Broja, Trashi dhe Seferi nuk u treguan të saktë në finalizim.

Trajneri Edi Reja qëndron i palëkundur në skemën e tij 3-5-2, ku vendin e Hysajt të skuafilikuar e zuri Veseli. Pjesa tjetër e formacionit ishte ajo që trajneri italian kishte lënë të kuptohej gjatë përgatitjeve, pra me Kumbullën, Kallakun dhe Brojën nga minuta e parë në fushë. Ndërrimet janë vonuar shumë në këtë ndeshje nga Reja, janë bërë pas minutës së 82-të.

Kombëtarja para ndeshjes me Kazakistanin. Gazeta Si, 11 tetor 2020

Gjatë pjesës së parë loja ishte shumë e vakët, me asnjë rast të pastër shënimi për Shqipërinë, ndërsa kazakët rrezikuan të shkaktonin autogol në një rast. Më ndryshe ishte pjesa e dytë, ku Armando Broja pati tri raste shënimi, por fati nuk i buzëqeshi sulmuesit të ri për të gjetur rrjetën. Ai dha edhe një asist për Seferin, i cili kishte në këmbë topin e golit të fitores, që e shpërdoroi, duke e përplasur në trupin e portierit.

Pas tri ndeshjesh në grup, Shqipëria ndodhet në kuotën e 4 pikëve në Ligën e Kombeve. Më 14 tetor luhet një tjetër transfertë, ajo ndaj Lituanisë që i tronditi kuqezinjtë në “Air Albania Stadium”. Me lojën e sotme, ata japin pak shpresë për fitore.

Kazakistan-Shqipëri 0-0
Kazakistani: Pokatilov, Bistrov, Maroçkin, Jernalov, Kerimzhanov, Sumjumbajev, Kuat, Tagibergen, Abiken, Zainutdinov, Aimbetov. Trajner: Bilek
Shqipëria: Berisha, Kumbulla, Gjimshiti, Dermaku, Trashi (Memolla 82’), Veseli, Bare, Abrashi (Laçi 87’), Kallaku, Broja, Manaj (Seferi 82’). Trajner: Reja


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë