Sociale

Shënohet viktima më e re, 34 vjeç. Vdes edhe një 90-vjeçar. Sot 67 raste të reja

Gjatë 24 orëve të fundit është shënuar viktima e 47 nga Covid-19, me moshën më të re që nga fillimi i pandemisë në vend. Ajo ishte 34 vjeçe dhe prej ditësh ishte në intubim në Spitalin Infektiv. Gjithashtu pak më parë Ministria ka konfirmuar se ka ndërruar jetë edhe një 90 vjeçar i cili vuante nga silikoza dhe hipertensioni. Marjeta Dervishi nga ISHP, bëri me dije se 34 vjecarja nga Librazhdi vuante dhe nga insuficenca renale kronike, diabeti, hipertensioni.

Mediat bëjnë me dije se viktima kishte 20 ditë e shtruar në QSUT për shkak të problemeve të tjera shëndetësore, kryesisht diabetin. Ndërkohë bëhet me dije se e ndjera ishte edhe e verbër dhe jetonte në fshatin Qukës.

Mjeku pëllumb Pipero tha për gazetën “Si” se 34 vjecarja ishte me diabet dhe kryente dializë prej vitesh.  

Pipero shpjegon se situata është shqetësuese por jo e jashtë zakonshme. Pak a shume kështu është rajoni.

“Të rinjtë të mbajnë maska në mjedise të mbyllura dhe të ruajnë distancën, atje ku distanca është e pa mundur të ruhet të vendosin një maske! Kujdesi për duart është gjithashtu i nevojshëm. Qytetaret nuk ka arsye të panikosen dhe të vinë në spital për asgjë, për ankesa shumë të vogla apo pse dalin pozitiv me tampon! Në spital duhet të vine rastet me vështirësi në frymëmarrje dhe komplikacione të sëmundjes, jo format e buta, të cilat e kalojnë shumë herë më mirë në shtëpi, me kushtin që të mbajnë një maske dhe të ndiqen nga mjeku i familjes qofte edhe online!,” shpjegoi mjeku

Më tej mjekja  theksoi se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe 67 raste të reja pozitve me shpërndarje gjeografike si Kruja me 18 raste, në Tiranë 18 raste, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë, ndërkohë 22 qytetarë janë shëruar.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë subjekteve të respektojnë protokollin e sigurisë. Ndërmarrjeve, institucioneve, subjekteve me shumë punonjës: Kryeni çdo ditë vlerësimin temperaturës si dhe vlerësoni prezencën e simptomave të Covid-19 në personat e punësuar dhe të kujtdo që hyn apo del në ambientet e punës. Personat me temperaturë apo me simptoma duhet të rikthehen në shtëpi dhe të kryhet komunikimi me strukturat shëndetësore. Siguroni vazhdimisht elementet higjenizues e pastrues si sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë. Mbani maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Siguroni ajrosjen e mirë dhe dezinfektimin e ambjenteve si dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes së tij,” theksoi Dervishi.

Mjekja shtoi se qytetarët duhet të telefonojnë në numrin 127 kur kanë shenja të sëmundjes dhe nëse kanë nevojë për informacion të kontaktojnë numrin 0800 40 40.

 Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 377

Durrës 165

Shkodër 135

Vlorë 69

 Fier 39

 Lezhë 24

Korçë 18

Kukës 10

 Elbasan 9

Gjirokastër 2

Berat 2


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë