Kombetarja

Shpresat, trajneri Bushi shpall listën për eliminatoret me Finlandën dhe Zvicrën

Gazeta Si – Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, shpalli sot listën me lojtarët e grumbulluar për dy ndeshjet eliminatore me Finlandën dhe Zvicrën, që luhen përkatësisht më 22 dhe 26 mars.

Trajneri i Kombetares U-21, Alban Bushi. Gazeta Si, 12 mars 2024

Që të dyja këto ndeshje zhvillohen në Tiranë, në ‘Air Albania’, me mundësi reale për të marrë maksimumin e pikëve. Skuadra e Bushit mban vendin e tretë në grupin e saj dhe është në garë për kualifikimin në Europianin e 2025-ës.

Në listë është thuajse i njëjti grup lojtarët që janë grumbulluar edhe në ndeshjet e mëparshme. Ka një ndërthurje mes lojtarëve që aktivizohen me skuadra të Superiores dhe disa të tjerëve që luajnë jashtë.

Në grupin e kuqezinjve të vegjël ka jo pak elementë me kualitet, ku mund të veçohen Medon Berisha dhe Stiven Shpendi që luajnë në Itali, apo Adrion Pajaziti, Simon Simoni e ndonjë tjetër.

Pas shpalljes së listës, trajneri Bushi doli në konferencë shtypi, ku komentoi zgjedhjet e tij dhe ndeshjet me Finlandën e Zvicrën: “Për Fetain dhe Jasharin nuk ishte e lehtë ardhja në kombëtaren shqiptare. Kanë pasur kërkesa nga Maqedonia e Veriut, Zvicra dhe Kroacia. Dua t’i falënderoj të dy, Fetai është një lojtar me shumë potencial, lojtar i rrallë për pozicionin ku luan dhe lëvizjet që bën në fushë.

Mendoj do jetë lojtari kyç në mesfushë. Që kur e kam parë videon e parë, më la përshtypje shumë të mira, i ngjan shumë Modriçit edhe për lëvizjet që ai bën në fushë. Të njëjtat fjalë mund të them edhe për Jasharin.

Finlanda është ekipi që luan më bukur futboll, pavarësisht se ndodhet pas nesh. Luan më mirë se Zvicra dhe Rumania. Kjo është ndeshja jonë e jetës. Që ne të shkojmë në Europian, duhet ta fitojmë patjetër këtë ndeshje. Në tokën tonë jemi shumë të fortë. Toka jonë na jep energji pozitive. Më vjen mirë që ndeshja do të luhet në stadiumin “Air Albania”, mendoj që do të ketë shumë tifozë.

Për Zvicrën do të flasim pas ndeshjes së parë. Është një ekip që të lë të luash futboll, mund të krijosh dhe të krijojnë raste. Do të jetë një ndeshje e hapur. Por i gjithë fokusi ynë është te Finlanda sepse duhet të marrim rezultat të mirë me Finlandën”, - theksoi Bushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë