Kombetarja

Shpresat në formë të shkëlqyer, tjetër fitore e thellë ndaj Uellsit

Kombëtarja U-21 e Shqipërisë luajti miqësoren e dytë brenda pak ditësh me Uellsin. Këtë hera ndeshja u luajt në stadiumin "Niko Dovana" të Durrësit, në orën 15:00. U luajt në temperatura të larta, megjithatë kuqezinjtë kanë treguar një formë shumë të mirë dhe kanë fituar me rezultatin 3-1. Skuadra e drejtuar nga trajneri Bushi është paraqitur shumë mirë në tri ndeshjet e fundit, në atë zyrtare me Turqinë në Stamboll, ku barazoi 2-2, si dhe në dy miqësoret me Uellsin, ku ka fituar 2-1 në Tiranë dhe tani 3-1 në Durrës.

Vlen të theksohet fakti se ekipi Shpresa ka shënuar në çdo ndeshje, madje nga dy gola. Serinë e golave në miqësoren e sotme e hapi Bullari, i cili realizoi edhe në Turqi. Ai zhbllokoi rezultatin në minutën e 8-të, pas pak minutash dyfishoi Esat Mala i Partizanit, ndërsa Broja, që vjen nga Çelsi, shënoi edhe golin e tretë në pjesën e dytë. Miqtë nga Uellsi realizuan golin e nderit në minutat shtesë të ndeshjes.

Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, e nisi ndeshjen me këtë formacion: Hoxha, Tafa, Maloku, Pëllumbi, Kumbulla, Shehu, Zejnullahu, Mala, Kallaku, Xhixha dhe Bullari. Në pjesën e dytë u bënë disa zëvendësime. Mes atyre që u futën në fushë ishte edhe Armando Broja, i cili shënoi golin e tretë të ndeshjes dhe të tretin personal në portën e Uellsit, pas dopietës në ndeshjen e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë