Kombetarja

Shpresat mundin Azerbajxhanin në miqësore me gola të Shpendit dhe Pajazitit

Gazeta Si – Shqipëria U-21 luajti sot një miqësore në Turqi, ku kundërshtar kishte Azerbajxhanin. Skuadra e drejtuar nga trajneri Bushi fitoi me rezultatin 2-1 dhe bëri një paraqitje të mirë.

Pjesa e parë ishte e mirë për kuqezinjtë, të cilët luajtën me theks sulmues dhe krijuan disa raste, fillimisht me Shpendin dhe Berishën. Një mundësi shumë të mirë pati Pajaziti, që u ndal nga portieri azer.

Goli i parë u shënua në minutën e minutën e 43-të, kur Pajaziti dha një asist për Shpendin në zonë dhe sulmuesi nuk gaboi. Në fillim të pjesës së dytë Azerbjxhani barazoi me Dzhafarov. Shqipëria reagoi mirë dhe gjeti shumë shpejt avantazhin me Pajazitin, pas një gjuajtje të saktë në zonë.

Më pas trajneri Bushi bëri zëvendësime, duke hedhur në fushë Nikqin, Nergutin dhe Gjuzin. Sulmuesi i Tiranës kishte një shans të artë të shënonte, teksa u gjend përballë portierit, të cilin e shmangu, por u ndal nga mbrojtja.

Shqipëria e ruajti deri në fund rezultatin, duke e mbyllur ndeshjen 2-1. Kuqezinjtë do të luajnë në Turqi edhe një miqësore me Poloninë, më 27 mars.

Azerbajxhan U-21–Shqipëri U-21 1-2
Shënues: Dzhafarov 46’/ S.Shpendi 43’, Pajaziti 51’
Shqipëria: Simoni, Mjaki (Kurti 84’), Buxhelaj (Preka 76’), Gjini, Mitaj, Ismaili (Alivoda 76’), Kurtulan (Gjuzi 62’), Berisha (Nerguti 62’), Toçi (Torraj 46’), Pajaziti (Shehu 84’), Shpendi (Nikqi 62’). Trajner: Alban Bushi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë