Kombetarja

Shpresat me fat, barazojnë në shtesë ndaj Turqisë në Stamboll

Një gol i shënuar nga Emiljano Bullari në minutën e 5-të shtesë i ka dhënë Shqipërisë U-21 një pikë në Turqi. Kuqezinjtë e vegjël kanë luajtur në Stamboll ndeshjen e tretë në Grupin 3, kanë barazuar 2-2 dhe kanë vetëm 2 pikë deri tani. Të 4 golat e transfertës së Stambollit u shënuan në pjesën e dytë. Ishte Shqipëria që shënoi e para me Malokun, më pas Turqia shënoi dy herë, por kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe arritën të barazonin në limitin e kohës shtesë.

Trajneri Alban Bushi aktivizoi nga minuta e parë këta futbollistë: Hoxha, Kumbulla, Maloku, Tafa, Shehu, Imeri, Zejnullai, Kallaku, Pellumbi, Xhixha, Mala. Si zëvendësues luajtën Bardhi, Ndreçka, Kalaj dhe Bullari, autori i golit të dytë. Një formacion miks i ekipit Shpresa, me shumë lojtarë të Superiores si Mala, Xhixha, Kallaku, Pëllumbi, Shehu dhe Marku, me lojtarë që luajnë në kampionate të huaja. Një barazim i merituar i Kombëtares U-21, që shfrytëzoi në mënyrën më të mirë goditjet standarde, nga ku erdhën edhe dy golat. Por kuptohet që ka shumë për të bërë, sidomos në mbrojtje.

Portieri Hoxha ishte nga më të mirët për kuqezinjtë, sidomos në pjesën e parë, kur presioni i Turqisë ishte i madh. Këtë herë ndoshta edhe fati ishte në anën e Shqipërisë, që buzëqeshi në fund falë atij goli në shtesë. Shqipëria U-21 është e vetmja skuadër në grup që deri tani ka luajtur 3 ndeshje, por mban vendin e tretë, pas Turqisë dhe Kosovës. Kuqezintë e trajnerit Alban Bushi kanë humbur me Turqinë në ndeshjen e parë, më pas kanë barazuar në Andorrë dhe tani vjen barazimi me Turqinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë