Nga njëra humbje e thellë në tjetrën, kjo është ecuria e Kombëtares U-21. Ajo që ndryshe quhet ekipi kombëtar “shpresa”, nuk prodhon shpresë dhe humbja e thellë sot në “Niko Dovana” 0-4 nga Austria është konfirmimi më i fortë.
Pas humbjes së tre ditëve më parë nga Franca në sfidën miqësore, kjo ndeshje e sotme shikohej si prova për ekipin e drejtuar nga Alban Bushi. Prova ka rezultuar një dështim total dhe tashmë shanset për kualifikim në këtë grup janë thuajse zero. Kuqezinjtë e vegjël u dorëzuan që në minutat e para përballë austriakëve, të cilët u imponuan gjatë gjithë lojës, duke qenë gati perfekt në lojën dhe veprimet e tyre përgjatë gjithë 90 minutave.
Në grupin 3, ku është edhe Kosova u-21 e cila udhëheq e para, Shqipëria u-21 duhet të rivalizojë me Andorrën për të mos përfunduar në vendin e fundit. Pas katër ndeshjeve të luajtura në këtë grup, bilanci është 2 humbje dhe 2 barazime, pa e shijuar ende një fitore dhe me 10 gola të pësuar, duke konfirmuar momentin e keq edhe për Kombëtaren e vogël.
Në një kohë kur ekipi A nuk është në ditët më të mira, as nga ky ekip nuk jep shenja të mira dhe ndoshta ka ardhur momenti për ndryshim në stol. Në 5 vitet e Alban Bushit si trajnerë, pavarësisht se lojtarë të talentuar ka pasur plotë, një pjesë e të cilëve kanë kaluar në ekipin e parë, rezultatet pozitive numërohen me pikatore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.