Futboll

Shpëtoi nga rënia, Luftëtari pezullon trajnerin Ahmataj dhe dy titullarë

Paradoksi i radhës në futbollin shqiptar vjen nga Gjirokastra. Luftëtari pothuajse e ka siguruar qëndrimin në Superiore, dukë lënë Tiranën dhe Kastriotin të vuajnë për të përcaktuar ekipin e dytë që zbret një kategori më poshtë, por në vend të mirënjohjes apo falënderimit, trajneri Julian Ahmataj ka marrë një pezullim dyjavor nga klubi. Bashkë me të janë pezulluar po dy javë ndihmëstrajneri Neritan Novi dhe lojtarët titullarë Albano Aleksi dhe Xhekson Ferreira.

Lajmi është bërë i ditur nga klubi gjirokastrit, që ka dalë me një deklaratë për shtyp: “Klubi i futbollit Luftëtari, pasi ka ndjekur me shqetësim ecurinë e skuadrës dhe sidomos humbjen e thellë përballë Tiranës, që solli edhe eliminimin nga Kupa, ka analizuar me seriozitet situatën dhe ka marrë masa disiplinore. Janë pezulluar për një afat dyjavor trajneri Julian Ahmataj, zv.trajneri Neritan Novi dhe futbollistet Albano Aleksi dhe Jackson Ferreira Silverio. Luftëtari nuk mund të tolerojë paraqitje si ajo përballë Tiranës, ku skuadra u shthur dhe pësoi gola. Për trajnerët apo lojtarët e pezulluar, nuk do të ketë masa financiare. Këto dy javë skuadra do të drejtohet nga trajneri i portierëve, Jovan Mihajloviç. Arritja e objektivit, edhe pse ende jo matematikisht, bën që të shohim me përparësi aktivizimin e lojtarëve që nuk kanë pasur mundësi të tregojnë vlerat e tyre. Luftëtari ka nisur punën për formatimin e skuadrës së sezonit të ri”, - shkruhet mes të tjerash në deklaratën për shtyp.

Nga ndeshja e Kupës Tirana-Luftëtari, 5-3

Klubi jugor i justifikon masat e marra me eliminimin nga Kupa e Shqipërisë ndaj Tiranës, ndërkohë që arritja në gjysmëfinale, madje duke eliminuar Partizanin kampion në çerekfinale, është një sukses për Luftëtarin. Për më tepër, masat merren 6 ditë pasi është luajtur ndeshja me Tiranë dhe pas asaj humbjeje Luftëtari mundi Kukësin në Kampionat. Duket se drejtuesit e klubit të Luftëtarit e kishin ndarë mendjen për këto masa.

Me Julian Ahmatajn në krye, Luftëtari ka pasur një rritje të konsiderueshme, të finalizuar me qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar, ndaj dhe sjellja e drejtuesve të klubit nuk është aspak profesionale. Është e njëjta situatë me një vit më parë, kur Luftëtari shkonte në Europë për herë të parë në historinë e tij, me trajnerin Hasan Lika në krye, por ky i fundit zëvendësohej me një slloven, pavarësisht kontributit të tij të jashtëzakonshëm. “Kalova lumin, të dh*” kalin…”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë