Kombetarja

Shpëtim Duro: Panuçi po luan me riskun, ndryshimi nis që te moshat

Fatjon Rupi - Shqipëria luan të premten ndeshjen e parë kualifikuese në grup për Euro 2020. Luan në Shkodër, ku pret Turqinë, një rivale direkte në grup dhe një fitore e mundshme do të ishte shpresëdhënëse për kualifikimin në këtë fazën finale të këtij kompeticioni. Trajneri Kristian Panucci shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar pak ditë më parë për ndeshjet me Turqinë dhe Andorrën dhe polemikat nuk kanë munguar. Janë bërë më pas disa ndryshime, ndërsa polemikat vazhdojnë. Ermir Lenjani është rebeli i parë “zyrtar”, pasi ka dalë publikisht kundër trajnerit italian, ndërsa portieri Tomas Strakosha është bërë çështje.

Shpëtim Duro, një trajner me shumë përvojë në kampionatin shqiptar, por edhe në kombëtaret e moshave e si ndihmës i Oto Bariç te Shqipëria, ka folur për Gazeta Si për zhvillimet e fundit në Kombëtare dhe pritshmëritë për ndeshjet me Turqinë dhe Andorrën. “Kur një trajner shpall listën, ka gjithmonë polemika, kontestime apo diskutime. Ka lojtarë që thirren dhe të tjerë që mbeten jashtë. Kur thirret një lojtar, thuhet pse nuk mori atë tjetrin dhe anasjelltas. Po te merrte, për shembull Manajn, s’do të merrte një tjetër dhe do thoshin pse nuk e mori atë tjetrin. Ka rëndësi që në ekipin kombëtar ka alternativa” – thotë në fillim ish-trajneri i Partizanit, Besës, Skënderbeut, Flamurtarit etj.

Trajneri Shpëtim Duro, duke folur për Gazeta "Si"

Më tej, Duro prek më konkretisht vendimet e Panuçit dhe jep gjykimin e tij për çështjen Strakosha, duke theksuar se trajneri, sidomos me lënien jashtë të portierit, po luan me riskun: “Trajneri deshi ta bënte reformën që në fillim, që kur erdhi, por ndryshimi duhet bërë gradualisht. Ai ka luksin që ka lojtarë shumë, ka një gjeneratë të mirë, ka hapësira, por puna e trajnerit matet gjithmonë me rezultate dhe të shohim si do ta menaxhojë ekipin. Liga e Kombeve, povarësisht se nuk shkoi mirë, për atë punë ishte, për të përgatitur ekipin. Konkurrencë ka gjithandej në ekip, nuk di kë të futesh më parë. Për mua, i padiskutueshëm është Armando Sadiku. Ishte goditje e madhe mungesa e Sadikut. Manaj, nëse do të ketë stabilitet, do t’i jepet mundësia, sepse është i ri në moshë. Kemi mbrojtje, mesfushë, lojtarë krahë. Ka lojtarë që prodhohen nga kampionati shqiptar, Uzuni ka qenë protagonist në kampionat shqiptar, Balaj, Cikalleshi, Lila po ashtu, Agolli 26 vjeç është shitur jashtë. Nga kampionati shqiptar kanë dale të gjithë.

Stafi teknik i Kombëtares

Mund të jenë tre lojtarë me nivel të barabartë dhe varet kë zgjedh trajneri. Strakosha po lë nam në Serinë A me paraqitjen e tij. Për disiplinën jam edhe unë, por them që ka hapur një problem të madh me vendimin që ka marrë trajneri, sepse Strakosha dashurohet nga të gjithë, është në superformë. Trajneri po luan riksun e vet, pasi nëse nuk i ecën ndeshja si duhet me Turqinë, kritikat do të jenë mbi të. Ai ka alternativa, nuk ka gropë për portën, ndaj dhe ka marrë atë vendim. Nëse do të ishte i vetëm Strakosha, do të kishte toleruar. Po luan me riskun, po i doli ccun, në rregull, në të kundërt gjithë kritikat do të jenë mbi të. Nëse ndodh ajo që Strakosha ka thënë, është e pranueshme, njerëz jemi, por Panuçi është i plotfuqishëm. Në rast të një rezultati negativ me Turqinë, është keq për trajnerin. Lenjani ka dhënë për kombëtaren dhe nëse ka luajtur kohët e fundit, duhej marrë” - argumenton trajneri Duro, i cili, veç ekipeve në Shqipëri, ka drejtuar edhe në Maqedoni dhe Kosovë.

Për Duron, ndeshja e së premtes është shumë e rëndësishme: “Me një fitore me Turqinë, hedhim një hap përpara, sepse me të dhe Islandën luajmë kualifikimin. Janë skuadra të forta. Ne bëjmë llogaritë tona dhe ata të vetat. Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme dhe duhet të paktën të mos e humbim. Jam kurioz, sepse është bërë një periudhë e gjatë që Kombëtarja nuk po luan. Trajneri ndoshta u nxitua, kur mori ekipin pas Europianit dhe kërkoi të bënte shumë ndryshime. Nuk mund të fusësh në ekip 4-5 debutues, mund të futesh një Grezdë, një Uzun. Sepse më pas u kthye te disa lojtarë dhe kam parasysh Memushajn, Bashën, Xhakën, që janë lojtarë me përvojë. Duhet rezultat me Turqinë, pasi ndeshja me Andorrën nuk llogaritet”.

Kombëtarja gjatë një seance stërvitore

Në fund trajneri Shpëtim Duron thekson me force se ndryshimi te një Kombëtare nis që tek ekipet e moshave: “Moshat? Kam qenë 7 vjet tek ekipet kombëtare dhe e di situatën. Atëherë ka qenë fukarallëk, sepse nuk mund të merrnim lojtarë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia. Tani mund të zgjedhin. Moshat janë mbushur me talente. Nuk është në plan të parë rezultati, por nuk mud të jemi gjithmonë në fund të grupit. Ne kemi pasur në çdo kohë kualifikime, çdo katër vjet. Duhet të kemi pretendime me ekipet e moshave, duhet të ketë konkurrencë, sepse janë grupet e lojtarëve. Jam i mendimit se autoriteti i rezultateve positive për një lojtar nis me moshat. Kur shkon në Kombëtare është i mësuar me rezultatet, por kur rrihet e rrihet… Te moshat nuk bëhen eksperimente, duhen trajnerë me përvojë. Ka disa faza që duhen kaluar”, - ka përfunduar Duro.

Trajneri Shpëtim Duro, kur drejtonte Flamurtarin

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë