Presidenti Ilir Meta e cilësoi akt terrorist ndaj Armand Dukës shpërthimin e tritolit në banesën e tij në Durrës dhe u bëri thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese të zbardhin me transparencë këtë ngjarje shumë të rëndë.
“Dënoj me forcë aktin terrorist në familjen e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armando Duka dhe u bëj thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese të zbardhin me transparencë këtë ngjarje shumë të rëndë”.
Sipas Metës, “një akt i tillë kriminal, në vijim të dhunës verbale, shantazhit dhe presioneve publike, shton emergjencën për ndalimin sa më parë dhe nxjerrjen para drejtësisë të frymëzuesve dhe autorëve”.
Edhe kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas shpërthimit me tritol në banesën e Armand Dukës në Durrës. Basha thotë se zhvillimet rreth FSHF-së tregojnë degradimin e një pushteti të korruptuar që qëllim ka zaptimin me çdo mjet.
Ai thekson se strategjia e tensionit e shpalosur ditën e sotme, kulmoi me eksplozivin e vendosur këtë mbrëmje në banesën e familjes Duka
“Zhvillimet rreth FSHF-së, tregojnë edhe njëherë degradimin e një pushteti të korruptuar që qëllim të vetëm ka zaptimin me çdo mjet, të çdo institucioni. Strategjia e tensionit e shpalosur ditën e sotme, që kulmoi me eksplozivin e vendosur këtë mbrëmje në banesën e familjes Duka duhet të ndërpritet me urgjencë dhe drejtësia të mos qëndrojë duarkryq”, shkruan Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.