Kombetarja

Shpërthimi i Lenjanit: Nuk vij më në kombëtare sa të jetë Panuçi

Sikur të mos mjaftonin dëmtimet dhe problemet me Tomas Strakoshën, kombëtarja shqiptare e futbollit përfshihet nga një tjetër çështje e nxehtë. Këtë herë është mbrojtësi kuqezi, Emir Lenjani që për të disatën herë është lënë jashtë grumbullimit të kombëtares, i cili nuk i ka kursyer kritikat në drejtim të trajnerit Kristian Panuçi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lenaji ka shprehur gjithë indinjatën e tij për lënien jashtë kombëtares në këto dy vite.

Lenjani shkruan se gjithmonë kur është thirrur në ekipin kombëtar të Shqipërisë ka dhënë maksimumin, duke sakrifikuar dhe luftuar me nder. Mbrojtësi 28-vjeçar që aktivizohet në kampionatin zviceran të futbollit shkruan më tej se nuk do të pranojë asnjë thirrje nga kombëtarja për sa kohë në drejtimin e saj do të jetë Kristian Panuçi. Ky reagim i Lenjanit vjen në momentin, kur nga grumbullimi i kombëtares janë larguar tre lojtarë të dëmtuar dhe Panuçi e kishte thirrur atë si zëvendësues.

“Që nga viti 2013 jam pjesë e Kombëtares shqiptare dhe ndihem krenar për këtë gjë. Sa herë jam ftuar e kam pranuar ftesën me dëshirën më të madhe pasi çdo herë kur e kam veshur fanellën kuq e zi e kam veshur me shumë dashuri. Kam qenë gati gjithmonë, kam sakrifikuar shumë, jam gjakosur, kam qarë e kam qeshur si futbollist i Shqipërisë. Kam pranuar edhe stolin, por jam respektuar gjithmonë. Tani në dy vitet e fundit jam duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë, por po injorohem nga trajneri momental i Kombëtares. Nuk kam luajtur asnjë minutë në Ligën e Kombeve, por nuk kam bërë zhurmë dhe kam vazhduar të punoj edhe më fort. Kur lëndohen 4-5 lojtarë trajnerit i bie në mend që luan dikund Ermir Lenjani dhe më dërgon ftesë. Faleminderit, por JO. Me lot në sy e them se nuk do të grumbullohem më me Kombëtaren sa të jesh ti aty. Kam kontribuar shumë dhe meritoj respekt. Dashuria ime për Shqipërinë është më e madhe se urrejtja jote për mua. Unë kam qenë, jam dhe gjithmonë do të jem djalë i Shqipërisë, ndërsa ti je vetëm kalimtar.”- shkruan Lenjani në facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë